Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se deputetët e partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ata të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë propozuar që të mblidhen një herë në javë në tentim për konstituim të Kuvendit, e jo të vazhdohet me seanca çdo 48 orë.

“E para, deputetët e partisë që doli e para në zgjedhje, nuk erdhën as me kohë. Erdhën 45 minuta me vonesë. Kur erdhën patën kërkesë në mënyrë të organizuar të shkelet rregullorja. Në kundërshtim me rregulloren, që thotë se duhet të mblidhemi çdo 48 orë, kërkuan të mblidhemi një herë në javë. Është krejtësisht e papranueshme me bë kërkesë të tillë me shkel rregulloren me vetëdije”, ka thënë Krasniqi. 

Ndryshe, Avni Dehari, Kryesuesi i Seancës Konstitutive ka ndërprerë sërish për 17-të herë seancën e Kuvendit. Në fillim të seancës, kryesuesi Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi konsultim me përfaqësues të partive politike. Kjo bëri që disa deputetë të ngrihen dhe të afrohen të ulësja e kryeparlamentarit.

Pas fundit të seancës, kryesuesi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se kërkesa e LVV-së ishte që vazhdimet e seancave të mos bëheshin cdo 48 orë, ashtu si e kërkon rregullorja e Kuvendit, por një herë në javë.

Por, pasi u konstatua se në seancë janë të pranishëm 99 nga gjithsej 120 deputetë, seanca ndoqi të njëjtin skenar si ato parapraket.

Dehari kërkoi nga partitë politike të propozojnë nga një përfaqësues për mbarëvajtjen e votimit të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin e ri.

Sërish, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan ta propozonin një përfaqësues.

Kjo bëri që Dehari ta ndërpresë seancën, e cila u tha se do të vazhdojë më 19 maj, në 10:30.

Që nga betimi i deputetëve më 19 prill, seanca ka ngecur pikërisht në pikën për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.

Të enjten, pas një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike, Osmani tha se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një “disponim minimal” tek liderët partiak për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Fillimisht, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar për kryeparlamentare Albulena Haxhiun, por ajo s’arriti t’i marrë 61 votat e nevojshme asnjëherë.

Pas gjashtë tentimeve për ta bërë Haxhiun kryeparlamentare, më 1 maj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, propozoi që zgjedhja e kryeparlamentarit të ri të bëhet përmes votimit të fshehtë – gjë që është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.