Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur situatën “tragjikomike” dhe duke theksuar se zgjidhja është ndërrimi i kandidates për kryetare të Kuvendit.

Pas dështimit të seancës së 13-të për konstituimin e Kuvendit, Krasniqi ka deklaruar se qytetarët, tre muaj pas zgjedhjeve, ende nuk kanë institucione funksionale për shkak të qasjes së Vetëvendosjes.

“Sundimi njëpartiak ka marrë fund.Duhet që të ketë kompromis. Ne do të jemi këtu sa herë që do të kemi obligim dhe do ta kemi qëndrimin e njëjtë. Rrugëdalja është e qartë: duhet që të ndërrohet kandidati për kryetar të Kuvendit”, ka thënë Krasniqi.

Sa i përket propozimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimet e fundit të seancës konstituive, Krasniqi tha se PDK do ta shqyrtojë rastin në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

“Nuk e kam parë lëndën. Sapo u njoftova. Kemi ekspertizën e duhur për të vlerësuar a duhet të dërgohte diçka në Kushtetuese. Do ta shqyrtojmë. Do ta marrë mendimin e ekspertëve”, ka shtuar Krasniqi.