Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka bërë të ditur se i është përgjigur pozitivisht ftesës për takim nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, për t’u informuar rreth situatës në veri pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Ai bëri të ditur se në takim ka marrë pjesë edhe Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, nga i cili është informuar “idhje me gjendjen e sigurisë në vend dhe veprimet e të gjitha institucioneve për të garantuar siguri e mbrojtje për qytetarët dhe shtetin tonë”.

Krasniqi ka shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen për të gjitha institucionet e sigurisë e në veçanti për Policinë e Kosovës.

“Edhe një herë, shpreha mbështetjen dhe mirënjohjen më të thellë për të gjitha institucionet e sigurisë, posaçërisht për Policinë e Kosovës, e cila, në 24 vitet e ekzistencës së saj, nuk ka rreshtur së na bëri krenarë me profesionializimin e dëshmuar vit pas viti në shërbim të vendit. Heroi Afrim Bunjaku është shembulli i fundit i kësaj atdhedashurie”, tha ai.

Kryetari i PDK-së, theksoi se nuk ka dyshim se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka adresën në Beograd.

“Për mua dhe PDK-në, është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd. Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojçiqit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi i tyre në Serbi pas sulmit dhe lartësimi i tyre si heronjë nga institucionet zyrtare të Beogradit, përfshirë shpalljen e ditës së sotme si ditë zie për ta – tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin e Serbisë”, tha ai.

Krasniqi u shpreh se në këto ditë sfiduese për Kosovën, PDK-ja e ka ofruar mbështetjen e plotë për të gjitha institucionet e sigurisë në vend.

“Prandaj, në periudha sfiduese si kjo, kur është cënuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë, për PDK-në, siç ka qenë gjithmonë, interesi nacional i vendit është dhe do të mbetet mbi të gjitha. Si PDK, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë”, tha ai.

Krasniqi kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare ta rrisin presionin ndaj Serbisë, për t’i dorëzuar terroristët te autoritetet kosovare.

“Sot, përveç tjerash, i bëjmë thirrje edhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për t’i dorëzuar tek autoritetet kosovare, terroristët të cilët Serbia i ka marrë në mbrojtje. Veprimet e tyre nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar dhe drejtësia duhet të triumfojë”, tha ai.