Ish-themeluesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tani profesor në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi, i ka analizuar takimet krerëve të shtetit në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Më tej, ia ka thënë se mostakimi me sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, duhet të jetë alarm për ta se SHBA-ja është e pakënaqur me diskursin politik që janë duke ndjekur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

“Shmangia e një takimi me Vjosa Osmanin e me Albin Kurtin nga sekretari amerikan, Blinken, mund të lexohet si pakënaqësi e SHBA-së me politikën që këta të dy po ndjekin. Kjo gjë do të duhej të ishte alarm për Vjosa Osmanin e për Albin Kurtin”, ka shkruar profesori në rrjetin e tij social Facebook.

Më tej, Krasniqi i është drejtuar Kurtit e Osmanit duke thënë se ata janë të përkohshëm në pozicionet shtetërore.

“Jo edhe aq për Kosovën. Kosova vazhdon të jetë nën kujdesin dhe mbrojtjen e SHBA-së, pavarësisht kush ulet në ato karrige. Ata që ulen në ato karrige bëjnë mirë ta dinë se mandatet e tyre janë të përkohshme, ndërsa Kosova atlantike është e përjetshme”, ka përfunduar Krasniqi.