Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se raporti i publikuar nga organizata, Human Rights Watch (HRW) sa i përket Kosovës shpërfaq mungesë elementare të përgjegjësisë institucionale në vitin e kaluar.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se “dhuna dhe vrasjet e grave, kërcënimet e gazetarëve nga zyrtarë institucionalë e diskriminimi i të gjitha komuniteteve të margjinalizuara, dëshmojnë detajisht paaftësinë e kësaj Qeverie”.

Ndër të tjera, Krasniqi ka thënë se raporti është treguesi më i mirë se çka i pret qytetarët këtë vit nga Qeveria, që sipas tij, është abuzimi me të drejtat e tyre elementare.

Ndryshe, tensionet e shkaktuara në veri të Kosovës, kërcënimet dhe frikësimet ndaj gazetarëve, vrasjet e grave nga bashkëshortët dhe diskriminimi i komunitetit LGBT+ në Kosovë, janë disa nga çështjet që organizata Human Rights Watch (HRW) përmendi në raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2022 për Kosovë.

Raporti u publikua më 12 janar. Te pjesa e Kosovës, në raport u trajtua edhe çështja e keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë, sulmet dhe kërcënimet ndaj tyre dhe, siç u tha, reagimi i dobët i organeve të shtetit.

Raporti përmendi edhe 310 kthime të detyruara në Kosovë, shumica nga Gjermania, ku në mesin e tyre ishin 38 fëmijë, gjashtë romë, 13 ashkali dhe të tjerë shqiptarë etnikë.

Human Rights Watch u ndal edhe te dhuna ndaj gjinisë femërore në Kosovë, ku është përmendur rasti i dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë nga pesë të dyshuar dhe vrasja e grave nga bashkëshortët e tyre.

HRW u ndal edhe tek orientimi seksual dhe identiteti gjinor, ku tregon se Qendra për Barazi dhe Liri e komunitetit homoseksual (LGBT+) në Kosovë, ka regjistruar pesë raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj komunitetit, katër prej të cilave kanë të bëjnë ndaj dhunës nga anëtarët e familjes ose partnerët ndaj personave transgjinorë.