Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka reaguar lidhur me publikimin e Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian, për të cilin ka theksuar se është më negativi që ka marrë vendi ndonjëherë.

“Mesazhet kryesore që dalin prej tij janë të qarta: Kosova mbetet nën sanksione! Kosova është duke u keq-qeverisur! Kosova është duke ecur prapa në të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të mediave, si dhe në drejtësi! Tri shtylla themelore mbi të cilat ndërtohet dhe funksion shteti demokratik dhe zhvillimor, janë në stagnim apo regres”, ka shkruar Krasniqi në Facebook për raportin e BE-së për Kosovën.

Krasniqi ka theksuar se tri fusha për të cilët është përgjegjëse e vetme Qeveria e Kosovës, e për të cilët PDK-ja sipas tij, e ka ngritur zërin vazhdimisht gjatë këtyre katër viteve.

“Fatkeqësisht, dështimet e Qeverisë së Kosovës, të paraqitura në këtë raport, nuk janë vetëm pasojë e jo-kompetencës dhe paaftësisë së tyre, por janë veprime të qëllimshme, të ndërmarra me vetëdije nga Kryeministri dhe vartësit e tij, si mjete për ruajtjen e pushtetit. Ky është një sabotim i zhvillimit dhe integrimit të vendit”, ka shkruar tutje ai.

Kreu i PDK-së ka thënë se raporti është shqetësues dhe alaramues, “e të cilit nuk i gëzohet askush, por i cili kërkon vëmendjen dhe reagimin e qytetarëve”.

“Lajmi i vetëm i mirë në këtë mes është se 9 shkurti po afrohet, dhe me të, edhe fundi i kësaj Qeverie”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka theksuar se qytetarët meritojnë një Qeveri të përgjegjshme, e cila do ta rikthej Kosovën në drejtimin e duhur.