Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, rreth shtyrjes së regjistrimit të popullsisë në Kosovë, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për ndërhyrje politike dhe fshehje të shifrave reale.

Po ashtu, ai e ka cilësuar këtë akt si një shkelje të qëllimshme të ligjit.

Sipas Krasniqit, kjo është hera e tretë që regjistrimi i popullsisë shtyhet, dhe ai e ka konsideruar këtë si një tregues i paaftësisë dhe mospërgjegjësisë së Qeverisë.

“Qysh herët kam paralajmëruar se regjistrimi i popullsisë nuk do të bëhet këtë vit – dhe kjo po ndodh qëllimisht nga vetë kryeministri Kurti. Shtyrja e regjistrimit, për herë të tretë, tashmë për në prill të vitit të ardhshëm, dëshmon se paaftësia, shkelja e ligjit, ndërhyrjet politike dhe fshehja e shifrave reale – e karakterizojnë këtë Qeveri dhe këtë proces që nga fillimi!”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook.

Qeveria e Kosovës ka shtyrë sërish regjistrimin e popullsisë, i paraparë të mbahej fillimisht në shtator e më pas në nëntor të vitit 2023, raporton Anadolu.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kabineti qeveritar vendosi që ky proces të mbahet nga 5 prilli deri më 17 maj 2024.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha para kabinetit qeveritar se pas ndryshimit të menaxhmentit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), ka marrë një letër nga ushtruesi i detyrës së shefit të ri që dëshmon se “procesi nuk ka shkuar mirë”.

Kurti duke folur për parapërgatitjet rreth këtij procesi, tha se gabimet e të kaluarës më nuk do të përsëriten.