Krasniqi shkon te shtëpia e Hysni Gucatit, ia uron lirimin nga burgu
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shkuar te shtëpia e Hysni Gucatit, për t’ia uruar lirimin nga Gjykata Speciale. “Hysi”, siç e quan ai, e ka reflektuar forcën e qëndresën e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po e zhvillojnë betejën e tyre gjyqësore në Gjykatën Speciale. “Në konakun e luftëtarit të UÇK-së, Hysni Gucati, për […]
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shkuar te shtëpia e Hysni Gucatit, për t’ia uruar lirimin nga Gjykata Speciale.
“Hysi”, siç e quan ai, e ka reflektuar forcën e qëndresën e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po e zhvillojnë betejën e tyre gjyqësore në Gjykatën Speciale.
“Në konakun e luftëtarit të UÇK-së, Hysni Gucati, për t’ia uruar lirimin nga Gjykata Speciale në Hagë. Krenar për të kaluarën e lavdishme dhe optimist për të ardhmen, Hysi sot reflektonte edhe forcën dhe qëndresën e çlirimtarëve të tjerë që po vazhdojnë të mbahen në Hagë”, tha ai.
Krasniqi ka uruar që sikurse Gucati edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të lirohen sa më parë.

“Me shpresën që drejtësia do të triumfojë edhe në betejën e fundit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, për të vërtetën e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, uroj që edhe ata të kthehen sa më parë në mesin tonë”, tha ai.
Gucati është liruar të hënën nga Gjykata Speciale në Hagë, ku ishte duke e vuajtur dënimin.
Në komunikatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës, thuhet se edhe pse veprat penale për të cilat ai u dënua janë të rënda, vendimi për modifikim të dënimit është marrë nga “ndryshimet në sjelljen dhe veprimet e Gucatit gjatë kohës së paraburgimit”. Kryetarja e Speciales ka deklaruar se nëse Gucati nuk i përmbush kushtet e vendimit, I njëjti mund të ndryshojë.
Ndër kushtet për lirimin e tij, përfshihet se Gucati ka pohuar se ai nuk ka synim aktual të rifillojë ndonjë rol në kuadër të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se ai nuk ka ndërmend të kërkojë vëmendjen e mediave në lidhje me kundërshtimin e Dhomës së Specializuar ose kohën e tij në paraburgim.















