Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se situata në veriun e Kosovës është e qetë dhe e kontrolluar, duke u shprehur i bindur se nuk ka asnjë arsye që Ura e Ibrit të mbetet e mbyllur.

Ai bëri këto komente gjatë një konference për media, pas mbledhjes së Qeverisë, ku theksoi rëndësinë e hapjes së kësaj ure për komunikimin midis qytetarëve të veriut dhe jugut. Megjithatë, ministri nuk përmendi një datë për hapjen e urës.

“Qytetarët nga veriu kalojnë në pjesën jugore dhe anasjelltas. Nuk ka asnjë arsye që kjo urë të qëndrojë e mbyllur. Situata është e qetë, e kontrolluar, dhe hapja e urës nuk do të kishte asnjë ndikim negativ”, ka thënë Krasniqi.

“Ne jemi gati që urat të hapet, nuk e kemi asnjë agrumet para vetes që ura të mos hapet… Ne po presim që edhe partnerët tanë të jenë gati”.

Krahas kësaj, Krasniqi ka shtuar se në Kosovë nuk ka vend për institucione paralele.

“Kemi ardhur në situatën ku jo vetëm institucionet e sigurisë por edhe mediat e kanë mundësinë të raportojnë nga atje. Nuk ka hapësirë në Kosovë për institucione paralele, ato do të mbyllen të gjitha”, ka shtuar Krasniqi.