Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim Dame Karen Pierce, të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor. Krasniqi permes nje postimi ne “Facebook” ka shkruar se ceshtja e diskutimeve ishin zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në krizën institucionale që, sipas Krasniqit, po e dëmton vendin si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Kreu i PDK-së e ka njoftuar ambasadoren Pierce për qëndrimet e partisë së tij dhe përkushtimin për ta tejkaluar situatën përmes respektimit të Kushtetutës. Ai gjithashtu e ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, nga periudha e çlirimit e deri te proceset aktuale të integrimit euroatlantik.

Një tjetër temë e rëndësishme e takimit ishte procesi i dialogut Kosovë – Serbi, ku Krasniqi ka theksuar domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me njohje reciproke në qendër, si parakusht për paqe të qëndrueshme dhe integrim rajonal.

“Përherë mirënjohës për partneritetin e fuqishëm me Mbretërinë e Bashkuar,” ka përfunduar Krasniqi.