Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar gazetarët në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, për punën, përkushtimin, transparencën dhe jo vetëm.

Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka shkruar se 3 maji është dita kur duhet të rikujtojmë sfidat e shumta, me të cilat, përballen gazetarët në Kosovë.

“Të dashur gazetarë – Urime Dita Botërore e Lirisë së Shtypit! Para se gjithash, faleminderit! Faleminderit për punën, përkushtimin dhe profesionalizimin – në promovimin e demokracisë, llogaridhënies dhe transparencës. Kosova është vend më i mirë, më i lirë dhe më demokratik falë angazhimit dhe luftës të përditshme që ju bëni për të vërtetën, pavarësisht se cila është ajo. Gjithsesi, sot, është edhe një ditë ku ne duhet të rikujtojmë sfidat e shumta, me të cilat, përballeni akoma në Kosovë, dhe bashkë si shoqëri dhe si shtet, të zotohemi që të jemi krah jush në secilin hap, në mënyrë që t’i evitojmë ato. Urime dhe mos u ndalni në misionin tuaj të shenjtë!”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi nuk është i vetmi lider opozitar i cili ka uruar gazetarët në këtë ditë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur në mbrojtje e respekt të fjalës së lirë, si vlerë e panegociueshme e demokracisë.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se sipas tij, shqetësuese mbeten sulmet që iu bëhen gazetarëve nga disa eksponentë të pushtetit.

“Shqetësuese mbeten sulmet që i bëhen gazetarëve e mediave dhe tendenca nga disa eksponentë të pushtetit për kontroll ndaj tyre! Jemi në krah të tyre, në mbrojtje e respekt të fjalës së lirë, si vlerë e panegociueshme e demokracisë”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka theksuar se mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme.

Haradinaj: Shqetësuese mbeten sulmet që i bëhen gazetarëve dhe tendenca nga disa eksponentë të pushtetit për kontroll ndaj tyre