Krasniqi: Vetëvendosje po e mban peng shtetin në mungesë të shumicës
Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së, pas ndërprerjes së seancës për herën e 11-të, ka thënë se po e përjetojmë reprizën e përsëritur të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në mungesë të shumicës parlamentare është duke e dhunuar jo vetëm institucionin e Kuvendit, por edhe vet shtetin. “Unë vërtet sot nuk mund të them më shumë se […]
Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së, pas ndërprerjes së seancës për herën e 11-të, ka thënë se po e përjetojmë reprizën e përsëritur të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në mungesë të shumicës parlamentare është duke e dhunuar jo vetëm institucionin e Kuvendit, por edhe vet shtetin.
“Unë vërtet sot nuk mund të them më shumë se sa që kam deklaruar gjithë ditëve të kaluara. Për Albin Kurtin, Albulena Haxhiu është më e rëndësishme se sa rreth një milion qytetarë që kanë votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe që kanë dhënë verdiktin e tyre se si duhet të krijohen institucionet,” ka thënë ai.
“Por në mungesë të besimit, në mungesë të numrave, në mungesë të shumicës për t’u bërë vet kryeministër, Albin Kurti po luan me Albulena Haxhiun duke e mbajtur atë si kandidaten e cila nuk ka kaluar, nuk do të kalojë e as nuk do të kalojë në të ardhmen, sepse e ka më të lehtë ta sakrifikojë atë se sa që të dalë e të matet vet, meqenëse secili tashmë e din se ai nuk i ka numrat,” ka thënë ai.
Tutje, kreu i PDK-së ka thënë se një gjë duhet ta kuptojë edhe Kurti:
“Nuk mundet me mbajt peng me zor shtetin, e ka mbajtur mjaftueshëm gjatë tashmë. Nëse vërtet dëshiron që të kemi rrugëdalje, unë e ftoj që ta ndryshojë kandidaten. Ne si PDK kemi dhënë mundësi që të vijë një kandidate apo kandidat që mund të marrë shumicën parlamentare në mënyrë që të konstituohet Kuvendi dhe t’i hapet rrugë afateve kushtetuese për të zgjedhur edhe Qeverinë e re. Ne jemi të gatshëm për t’i marrë përgjegjësitë tona, por duket që Lëvizja Vetëvendosje, duke mos dashur me pranu humbjen që e kanë pësu në zgjedhjet e kaluara – sepse kërkesa e tyre ka qenë referendum – referendumi normalisht që ka dështuar, por vazhdojnë ta mbajnë vendin peng,” ka thënë ai.
“Përgjegjësia është e tyre, atyre u takon që të bëjnë hapin e parë. Ata po e përsërisin të njëjtën, por një gjë le ta kenë të qartë: kur nuk të pëlqen dhe nuk pajtohesh me të vërtetën e me realitetin, nuk mundesh me ndryshu atë, por duhet me ndryshu veten,” ka thënë Krasniqi.















