Krasniqi: Viti 2022 ka qenë një vit i krizave të njëpasnjëshme dhe keqqeverisjes së përsëritur

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi ka thënë se dy prioritete shtetërore që "kërkojnë urgjencë, maturi dhe lidership" janë barrikadat në pjesën veriore të Kosovës dhe dialogu me Serbinë

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi ka njoftuar se e kanë mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së.

Krasniqi ka thënë se temat për të cilat kanë diskutuar me Këshillin Drejtues të PDK-së ishin reformat brenda partisë, vendimet dhe qëndrimet në raport me aktualitetin, sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe, posaçërisht, situata e krijuar në pjesën veriore të vendit dhe dialogu Kosovë – Serbi.

“Në përgjithësi, në kontekstin e qeverisjes, viti 2022 ka qenë një vit i krizave të njëpasnjëshme dhe keqqeverisjes së përsëritur. Rrjedhimisht, kemi pasur gjendjen më të rëndë ndonjëherë në shumë sektorë, e specifikisht në shëndetësi, ekonomi, energji, siguri e diplomaci”, ka shkruar Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka thënë se ky vit ishte një “vit i thyer, i humbur, i dështuar, e që, fatkeqësisht, nuk po shihet akoma nga Pallati i Ëndrrave ku janë mbyllur e po lavdërojnë njëri-tjetrin asgjëbërësit e veshur me pushtet”.

“Gjithsesi, dy janë prioritetet shtetërore, të cilat kërkojnë urgjencë, maturi dhe lidership. Barrikadat në pjesën veriore të Kosovës dhe dialogu me Serbinë.

“Për të dyjat, si çdo herë, unë dhe PDK e vendosim Kosovën të parën, duke i mbështetur proceset dhe veprimet e duhura. Për të parën kërkojmë reagim dhe veprim institucional për t’i hequr menjëherë barrikadat e grupeve kriminale, të instrumentalizuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si tentim i tij për ndarjen e Kosovës. Në këtë pikë, i ofrojmë mbështetjen e plotë Qeverisë”, ka shtuar kreu i PDK-së.

Ndërsa rreth marrëveshjes finale Kosovë – Serbi, Krasniqi ka theksuar se kërkojnë maturi e lidership, “për çka edhe kemi ofruar propozimin tonë për pesë rezultatet që duhet të jenë shtyllat bazë të kësaj marrëveshjeje: Ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës sipas rregullimit aktual kushtetues; njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së; nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe” si hap i parë; marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Gjersa Krasniqi ka potencuar se si parti kanë marrë vendimin për barazi të plotë gjinore në struktura dhe vendimmarrje – 50/50, “rinisë i kemi dhënë zë, përmes një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe demokratik, kemi gati për të përmbyllur Kabinetin për Qeverisje të Mirë, ndërsa Komisioni për Organizimin e PDK-së në Mërgatë ka bërë një punë të shkëlqyeshme në rritjen dhe shtrirjen e PDK-së në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët”.

Ndërsa në kontekstin e jashtëm, kryetari i PDK-së ka theksuar se PDK është pranuar me të drejta të plota në Rrjetin e Liberalëve të Evropës Juglindore (LIBSEEN) dhe në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratike të Evropës (ALDE).

“Edhe në vitin 2023, PDK, duke pasur interesin e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës, do të vazhdojë të jap kontributin e saj në të gjitha proceset me rëndësi kombëtare e shtetërore”.

Krasniqi ka thënë se PDK do të intesifikoj angazhimin dhe të shtyjë përpara reformat në shërbim të ngritjes së pashmangshme, si kërkesë dhe nevojë parësore e qytetarëve dhe shtetit.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika