Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit,  e ka quajtur të paligjshëm dhe jokushtetues propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“VV-ja bëri shkelje të hapur kushtetuese. Në kohën kur ka filluar votimi dhe ka dështuar disa herë, është e paligjshme dhe jokushtetuese propozimi për votim të fshehtë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se është e turpshme dhe fyese ajo çfarë ndodhi sot në Kuvend.

“Po më vjen keq në çfarë situate po e vendosin Avni Deharin, po e keqpërdorin…Më arbitrare është se VV-ja po e konsideron më të rëndësishme Albulena Haxhiun sesa Kuvendin dhe Qeverinë”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas tij, duke mos i pasur votat e mjaftueshme, Kurti po e vazhdon “talljen” edhe me kandidaturën e Haxhiut.

“Kur ka dy kandidatë, ka kuptim votimi i fshehtë”, ka theksuar ai.