Krerët e Maqedonisë së Veriut, të mërkurën e 12 tetorit e kanë marrë raportin e progresit nga ambasadori i Bashkimit Evropian në këtë shtet.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka njoftuar nëpërmjet një statusi në Facebook,ku është zotuar se të gjitha rekomandimet e raportit do të shqyrtohen nga institucioni që ai e udhëheq.

“Ambasadori i BE-së sot zyrtarisht e dorëzoi Raportin e Progresit të për 2022. Në takimin e shkurtër e shqyrtuam pjesën që i referohet Kuvendit. Raporti konfirmon se nevojiten hapa të përbashkëta dhe të shpejta nga të gjitha partitë politike në Kuvend, sidomos për agjendën e reformave të BE-së”.

“Në periudhën e ardhshme Komisionet përgjegjëse të Kuvendit do e shqyrtojnë hollësisht Raportin, pas çka do të miratohen konkluzione”, ka shkruar Xhaferi.

Ndërkohë për të njëjtën çështje edhe kryeministri i maqedonasve, Dimitar Kovaçevski, ka njoftuar se edhe atij i është dorëzuar raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut.

“Ne po lëvizim me shpejtësi në rrugën evropiane dhe jemi të përkushtuar ndaj reformave. Ky angazhim i Qeverisë reflektohet edhe në Raportin e ri të Komisionit Evropian të dorëzuar sot nga ambasadori Gere”, ka shkruar ai.

“Pason punë e palodhshme dhe reforma shumë të rëndësishme mbi të gjitha në interes të qytetarëve sepse ata meritojnë një standard më të mirë jetese, progresi dhe zhvillimi. Eurointegrimet janë mënyra më e shpejtë dhe e vetme për të arritur këtë qëllim”, ka shtuar Kaovaçevski.

Sipas tij, nuk do të jetë e lehtë, por për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut,  nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së.