Kreu i Bankës Botërore: Ekonomia botërore mund të tkurret
David Malpass, Udhëheqësi i Bankës Botërore ka paralajmëruar se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të shkaktojë probleme ekonomike botërore, pas rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë. Malpass është takuar me bizneset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka thënë se është e vështirë “të gjenden rrugë për ta shmangur recesionin”. Sipas tij, […]
David Malpass, Udhëheqësi i Bankës Botërore ka paralajmëruar se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të shkaktojë probleme ekonomike botërore, pas rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.
Malpass është takuar me bizneset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka thënë se është e vështirë “të gjenden rrugë për ta shmangur recesionin”.
Sipas tij, edhe disa seri të masave izoluese në Kinë janë duke shtuar shqetësimet për situatën ekonomike. Komentet e Malpass-it përbëjnë paralajmërimin e fundit se ekonomia botërore mund të tkurret.

“Teksa shikojmë Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) është e vështirë të shohim shmangie të recesionit. Vetëm ideja e dyfishimit të çmimeve të energjisë, mjafton për të nxitur recesionin”, ka thënë Malpass.
PBB-ja është masë për të matur rritjen ekonomike dhe ndër mënyrat më të rëndësishme për të matur sa mirë apo keq, është duke performuar një ekonomi, dhe vëzhgohet nga afër prej ekonomistëve dhe bankave.
Po ashtu, kjo u ndihmon bizneseve të vlerësojnë se kur duhet të zgjerohen, të rekrutojnë më shumë punëtorë, apo të investojnë më pak dhe të zvogëlojnë fuqinë punëtore.
Qeveritë e përdorin PBB-në për të marrë vendime për gjithçka, duke nisur nga taksat e deri te shpenzimet, derisa bankave u ndihmon të marrin vendime se kur të rritin apo të ulin normat e interesit.
Sipas kreut të Bankës Botërore, i cili ka thënë se shumë vende evropiane janë ende shumë të varura nga nafta dhe gazi rus. David Malpass ka bërë këto deklarata, pavarësisht se disa shtete të Perëndimit kanë bërë plane për të zvogëluar varësinë nga energjia ruse. Malpasska thënë se nëse Rusia ndal furnizimet me gaz, kjo gjë mund të shkaktojë ngadalësim të ekonomisë në rajon.
Ai ka thënë se çmimet e larta të energjisë veçse janë duke rënduar mbi Gjermaninë, e cila përbën ekonominë më të madhe në Evropë dhe të katërtën në botë.
Malpass ka thënë se shtetet në zhvillim po përballen edhe me mungesë të ushqimit dhe energjisë.















