Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për emërimin e përbërjes së re të Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, duke e cilësuar atë si kundërligjor dhe kundërkushtetues.
NëFIVE në TV Dukagjini, Rexhepi theksoi se legjislacioni në fuqi nuk parasheh mundësinë e shkarkimit të Komisionit si organ.
Sipas tij, shkarkimi mund të bëhet vetëm në mënyrë individuale dhe vetëm në raste të përcaktuara ligjërisht, kur një anëtar bëhet i paaftë për të ushtruar funksionin publik.
“E kemi thënë që është kundërligjore dhe kundërkushtetuese dhe po e përsërisim prapë. Është kundërligjore për faktin që ligji për dhënien e juridikaturës nuk e ka paraparë mundësin që komisioni të shkarkohet. Dispozitat e përcaktojnë qartë se si emërohet komisionit, do të thotë kalon procedurave të propozimit nga Ministria e Drejtësisë dhe kalon në Kuvend. Sa i përket shkarkimit nuk ka asnjë dispozitë të vetme që e parashihet mundësia e shkarkimit. Që do të thotë anëtarët mund të shkarkohet individualisht dhe atë vetëm në bazë të krijimit të kushteve për tu shkarkuar, kur e bën të paaftë një pozitë publike. Në këtë rast nuk është asnjëra nga këto, që mund të iniciohet fillimisht shkarkimi dhe pastaj edhe emërimi i komisionit të ri. Ajo që dua të potencoj fakti që teza e qeverisë se komisioni nuk e ka mbajtur provimin është tërësisht e pabazuar, për faktin se unë si kryetar i komisionit qysh në fillim të gushtit iu jam drejtuar sekretares së komisionit dhe i kam kërkuar që të fillohet me procedurat e mbajtjes së provimit. Përgjigja sekretares është se ministria i ka thënë që duhet presim….
Vazhdimisht në takime kemi marrë shqetësime për kalueshmërinë e vogël të kandidatëve. Ne vlerësojmë se nuk është e vogël, është kalueshmëri reale e vlerësimit korrekt që është në kushte të barabarta…
Unë sa herë që e vlerësojë që gjyqtarët e zbatojnë ligjin dhe unë personalisht, nuk ndihem në presion. Ajo që ka pasur ndërhyrje sepse nuk mund të quhen ndryshe, deklarimet publike rreth vendimeve janë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Kemi reaguar gjithmonë dhe prapë do të reagojmë. Ne nuk pranojmë që sistemi i drejtësisë t’i nënshtrohet askujt, konsiderojmë që shteti ligjor varet prej një sistemi të pavarur të drejtësisë”, ka thënë Rexhepi në FIVE.