Vetëm katër ditë kanë mbetur deri në seancën e caktuar për konstituimin e Kuvendit.
Ndonëse, për formimin e legjislaturës së 11-të, u raportua për një marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, procesi u pezullua përkohësisht për shkak të zhvillimeve brenda LDK-së.
Tani, pasi Lumir Abdixhiku u rikonfirmua në krye të partisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thotë se ditët e mbetura do të shfrytëzohen për të intensifikuar përpjekjet drejt një marrëveshjeje.
“Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të. Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet”, ka thënë Albin Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës.
Kryetari i VV-së me bindje thotë se ekziston gatishmëria për formimin e institucioneve.
“Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, ka thënë Albin Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës.
Sipas analistëve politik, ndryshe nga bllokadat e kaluara, kësaj radhe ekziston një klimë më optimiste.
“Unë jam optimist i rezervuar, deklarat e fundit tregojnë se ekziston një vullnet për dialog dhe kompromis, rikonfirmimi i Abdixhikut, duket se do ti jap LDK-së, stabilitet më të madh për të negociuar në këtë process. Mendoj se Konsitutimi i Kuvendit dhe Qeveria janë afër”, ka thënë Basri Muja, analist politik.
Pasi i mbijetoi mocionit për shkarkimin nga drejtimi i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojnë, duke vlerësuar se Kosovës i duhet stabilitet institucional.
Kreu i LDK-së tha se nuk pranon marrëveshje që nuk ofron demokraci funksionale, ku pozitat shtetërore, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca t’i takonin një partie.