Kjo potencialisht do të jetë hera e fundit që Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla hyjnë në një sallë gjykimi me statusin e të akuzuarve.
Procesit kundër tyre i erdhi fundi pasi këtë të premte palët paraqiten fjalët përfundimtare.
Për tre të akuzuarit, Prokuroria ka kërkuar dënimin më të ashpër, pasi tha se secila provë, dëshmoi planin që kishin të njëjtit për ta vrarë Liridonën, e që krimi makabër u krye në sy të fëmijëve katër e gjashtë vjeç.
“Nëse e keni dëgjuar mirë, po e cek vrasjen e Liridona Ademaj Murseli edhe pse mediat gjatë raportimeve për këtë rast, çdo herë raportojnë për të vrarën Liridona Ademaj. Po pyetemi se pse? Pikërisht për shkak të egërsisë dhe mizorisë së treguar gjatë vrasjes së saj, si dhe për dinakërinë dhe qëndrimin pas vrasjes të bashkëshortit të saj dhe njëkohësisht edhe xhelatit, të akuzuarit të parë, Naim Murselit”, u shpreh prokurorja, Javorka Perlinqeviq.
Motivi i vrasjes, sipas prokurores, ishte që Naim Murseli të përfitonte sigurimin jetësor të së ndjerës.
E familja e Liridonës, ka thënë se çdo vendim tjetër, përveç burgimit të përjetshëm, cenon viktimën por edhe fëmijët e saj.
“Pa Naimin nuk ka Kushtrim, pa Kushtrimin nuk ka Granit, pa Granitin nuk do kishte vrasje. Përveç neve, këtë proces do e shohin edhe fëmijët e Liridonës, do kërkojnë drejtësi për nënën e tyre, kur të shohin këtë proces nuk do brengosen sepse dikush e ka vënë drejtësinë në vend.”, u shpreh Leonard Ademaj.
Avokatët e të akuzuarve, kërkuan lirim të tyre e fjalën e mori edhe vet Naim Murseli.
“Ju betohem, Naim Murseli nuk ka qenë në veturë, Naim Murseli nuk ka paguar për vrasjen. Kjo është e vërteta. Pa të drejtë jam akuzuar e targetuar, nga mediat, nga kjo sallë por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Kaq kisha i nderuar trup gjykues ju do të vendosni fatin tim, fatin e fëmijëve të mi, ju vlerësoni faktet e provat dhe nga ju pres vetëm një dënim të drejtë”, tha ai.
Ndërkaq, Skender Gojani, avokat i Granit Plavës, u shpreh se Murseli nuk e identifikon klientin e tij si autor.
“Fakti kryesor se as i akuzuari i parë nuk e identifikon Granitin si autor, mbrojtja i propozon kësaj gjykate që të pandehurin Granit Plava të shpallë të pafajshëm.”
“Sipas mbrojtjes, në asnjë mënyrë nuk e involvojnë të pandehurin Kushtrim, në asnjë formë të bashkëpunimit, qoftë si bashkëkryes të veprës penale të vrasjes.”, u shpreh avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrec Dodaj.
Vendimi i Gjykatës për këtë rast do të shpallet më 21 prill, por të akuzuarit deklaruan se nuk do të marrin pjesë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, Naim Murseli planifikoi vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plava ishte ekzekutori me pagesë e Kushtrim Kokalla ishte personi që i ndihmoi Murselit me gjetjen e armës dhe personit për të kryer vrasjen.