Kritika ndaj Speciales, Haxhiu flet për mekanizmin që do të monitoronte zbatimin e të drejtave të njeriut

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se e ka ngritur nevojën për një mekanizëm për monitorim te të drejtave të njeriut dhe ka shtuar se një kërkesë të tillë e kanë bërë te kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca

Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë

Gjykata Speciale po kritikohet në Kosovë për mostransparencë, vonesë në nxjerrje të materialeve, si dhe zvarritje të procedurës paraprake. Këto konsiderohet se po cenojnë të drejtat e të akuzuarve që po mbahen në paraburgim prej vjeshtës së vitit 2020.

Madje është ngritur diskutimi për themelimin e një mekanizmi ndërkombëtar që do të monitoronte zbatimin e të drejtave të njeriut, për të cilin për KosovaPress, ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu e ka ngritur nevojën për një mekanizëm për monitorim dhe ka thënë se një kërkesë të tillë e kanë bërë te kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Është e vërtetë që kemi diskutuar për një mekanizëm shtesë të ri ndërkombëtar, që do ta bëjë monitorimin e zbatimit të të drejtave të njeriut, sepse kaq mund të bëhet, nuk mund të bëhet më shumë dhe ne kemi adresuar këtë kërkesë edhe të kryetari i Kuvendit. Sipas informacioneve që i kam, tashmë janë duke diskutuar për një trupë profesionale që e trajton aspektin e të drejtave të njeriut, sepse nuk ka asnjë instancë ndonjëherë që ka pasur, që nuk e ka pasur një institucion tjetër për ta monitoruar, ta zëmë Tribunali i Hagës e ka pasur OKB-në, mirëpo jo Gjykata Speciale nuk e ka asnjë të tillë”, ka thënë Haxhiu.

Në paraburgim, nën pretendimin për krime lufte, në Hagë po mbahen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Pjetër Shala.

Redaktimet në aktakuzë, vonesa në nxjerrjen e materialeve e përkthimet e dobëta, kanë cenuar të drejtat e tyre sipas Avokatit të Popullit, Naim Qelaj.

“Ajo çka unë kam arritur të kuptoj prej të burgosurve dhe kontakteve që kam pasur me ta, dhe që për mua paraqet shqetësim, janë disa, e para është mungesa e barazisë, mund ta konstatojmë që një proces gjyqësor i cili nuk e zbaton këtë parim nuk garanton proces të drejtë dhe të paanshëm, në rastin konkret ky parim nuk është respektuar, së paku jo deri më tash, ka ardhur si rezultat i dhënies me vonesë të provave, me vonesë të kufizuar të qasjes në këto prova dhe materiale që janë proceduar në këtë gjykatë, dhe te vetë mënyra se si janë proceduar dëshmitarët ose provat e tjera në gjykatë. Redaktimi i aktakuzës, redaktimi i materialeve e cenon edhe një të drejtë tjetër që është e drejta që i akuzuari t’u japë të gjitha materialet, për të mundur të kuptojë se për çka po akuzohet dhe në cilat rrethana”, ka thënë Avokati i Popullit.

Ndërsa, mbajtjen në paraburgim për më shumë se dy vjet, Qelaj e konsideron zvarritje të procedurave pa ndonjë kriter.

Për ministren e Drejtësisë, shqetësuese në Gjykatën Speciale mbetet aspekti i të drejtave të njeriut, që sipas saj, duhet të trajtohet më seriozitetin më të madh.

“Ajo çfarë unë kam konsideruar është aspekti i të drejtave të njeriut që duhet të trajtohet më seriozitetin më të madh, sepse kam bindjen që Avokati i Popullit (në Hagë) që është në fakt avokat paralel, nuk po e kryen detyrën që e ka përgjegjësi, sepse fakti që ka shumë pak staf aty, fakti që nuk na jep asnjë informacion në raport me rastet që ka trajtuar, nuk dua të kuptoj diçka që nuk është në detyrën time, por që të mos na japin informacione nëse ka pasur shkelje ndonjëherë, ndonjë rast të të drejtave të njeriut, madje informacione të njëjta as për Avokatin e Republikës së Kosovës nuk i kanë dhënë. Mendoj që ky është problem serioz”, thotë ministrja e Drejtësisë.

Edhe konferencat mbi ecurinë e çështjeve që ishin në procedurë paraprake janë karakterizuar me ankesat sistematike që mbrojtja e të akuzuarve i ka parashtruar e që lidhen me redaktime, të cilat ata i konsiderojnë të tepërta.

Gjatë vitit 2022, u dëgjua edhe ajo që konsiderohet një prej akuzave më të mëdha në drejtim të prokurorisë, ku mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbajtur të fshehur prova shfajësuese.

“Pa dyshim që nëse këto pretendime të mbrojtjes së Thaçit kanë qenë të vërteta, kemi të bëjmë me shkelje flagrante të drejtave të të pandehurve, pasi prokuroria në momentin që ka njohuri, në posedim apo kontroll, ndonjë provë, qoftë ajo fajësuese ose shfajësuese, duhet ta njoftojë mbrojtjen dhe gjykatën. Këto pretendime të ngritura nga mbrojtja e zotit Thaçi duhet të sqarohen për opinionin publik nga gjykata, në mënyrë që të bindin opinionin publik se gjykimet që po zhvillohen atje janë duke mbrojtur të gjitha të drejtat e të akuzuarve dhe janë duke u zhvilluar në formë të drejtë, të pavarur dhe të paanshme. Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk guxon të mbështetet në dëshmitarë të cilët mund të fabrikojnë prova, qofshin ato materiale apo personale dhe prova të tilla nuk mund të administrohen në një proces gjyqësor dhe nuk mund të bëhet administrim i mirëfilltë i procesit gjyqësor nëse ndodh një gjë e tillë”, ka deklaruar Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Gjithashtu, ishte mbrojtja e Kadri Veselit që bëri një parashtresë duke pretenduar se një dëshmitar i ZPS-së ishte tërhequr nga deklarata e tij, duke thënë se kishte gënjyer, pasi kishte qenë i shtyrë nga një informator i cili ka kontakte të rregullta me prokurorinë.

Dosja ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, është kaluar te trupi gjykues, por ende nuk ka ndonjë vendim se kur do të fillojë gjykimi ndaj tyre.

Gjithashtu, në pritje të fillimit të procesit gjyqësor është Pjetër Shala.

Ndërsa, gjatë vitit 2022 ka përfunduar në shkallë të parë rasti i parë nën pretendimin për krime lufte. Aktgjykimi është shpallur në dhjetor të vitit që shkoi, ndaj Salih Mustafës i cili u dënua me 26 vjet burgim.

Ky është dënimi i parë nën pretendimin për krime lufte që është shpallur nga kjo gjykatë, pas shtatë vjet themelimi.

Derisa një aktgjykim tjetër fajësues është shpallur ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët janë akuzuar për pengim të administrimit të drejtësisë.

Ky rast është proceduar edhe në Gjykatën e Apelit, por ende nuk ka një vendim nga kjo trupë, lidhur me ankesën e parashtruar nga mbrojtja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

“Sa u përket gjykimeve, e kemi ish-Tribunalin e Hagës, i cili tetë vjet nga themelimi i tij i ka përfunduar 32 raste në shkallë të parë, pa i përfshirë këtu edhe rastet që i janë kthyer në rigjykim dhe prapë i ka zgjidhur.

Kurse, e kemi rastin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, e cila pas shtatë vjetësh e dha aktgjykimin e parë për krime lufte, ndërsa pothuajse gjashtë vjet nga themelimi veç i ka filluar dy gjykime, kështu që padyshim që ka një dallim enorm në ndërmarrjen e veprimeve në mes këtyre dy gjykatave që mund të përkthehet në joefikasitet. Po ashtu, këtu duhet të përmendet fakti që shtetet nuk kanë qenë të obliguara atë kohë që t’u përgjigjen kërkesave ose të bashkëpunojnë me ish-Tribunalin e Hagës, ata në punën e tyre janë varur nga vullneti i shteteve”, vlerëson Medina Kadriu, e cila monitoron punën e kësaj gjykate.

Nga ana tjetër, Ligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës obligon institucionet tona që t’u përgjigjen kërkesave dhe të bashkëpunojnë me gjykatën, Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe avokatët.

Gjatë vitit 2022, nuk është ngritur asnjë aktakuzë e re, të paktën nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Gjykata Speciale, e cila është me seli në Hagë të Holandës, është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika