Albin Kurti – Kryeministër “…kurrë nuk kanë më shumë media ndaj Qeverisë sesa në këtë katër vjeçare para nuk I pagujmë e dyta nuk frikësohen nga pushteti”

Ditën që e mori besimin e partisë për të kandiduar sërish për postin me të cilin synon t’i zgjidh problemet e qytetarëve, ka zgjedhur ta shfrytëzojë me kritika ndaj mediave e gazetarëve.

Disponimin e vullnetin për të folur për media dhe sqaruar këtë deklaratë, Kryeministri nuk e kishte të njëjtë një ditë më vonë.

Albin Kurti – Kryeministër deklaroi se “Këtu jemi në Klinikën e Radiologjisë. Për çështje të tjera flasim në vende të tjera, herë të tjera, ju faleminderit shumë”

Asociacioni i Gazetarëve shprehet kundër gjuhës së përdorur nga Kurti, të cilën e konsideron të papranueshme dhe shumë të rrezikshme.

Xhemajl Rexha  – Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve tha se “Gjuha është nxitëse, është nxitje e urrejtjes edhe mund të çoj edhe deri tek sulmet fizike ndaj gazetarëve përveç këtyre sulmeve që po i përjetojmë online, dhe kryeministri Kurti duhet ta mbajë barrën e përgjegjësisë nëse iu ndodhë diçka gazetarëve për shkak të këtij fjalori.”

Sipas Rexhës barazimi i mediave kosovare me ato që i shërbejnë Serbisë është i papranueshëm dhe i pavërtetë, dhe pret që ky diskurs të ashpërsohet për faktin se po ofrohen zgjedhjet.

Se do të ashpërsohet gjuha ndaj mediave përfshirë edhe nga opozita, pajtohen edhe profesorë universitarë të gazetarisë, të cilët vlerësojnë se ikja nga përgjegjësia dhe temat që nuk u konvenojnë palëve, bëhen edhe duke i sulmuar gazetarët dhe mediat.

Dren Gërguri – Profesor i gazetarisë deklaroi se “Mund të ndikojë në krijimin e një ambienti të papërshtatshëm për të bërë gazetari dhe në rastin tonë këtë e kemi parë shpesh viteve të fundit dhe kjo po ndikon në mënyrën sesi mediat funksionojnë në vendin tonë, nganjëherë po cenohet liria e medias, po cenohet liria e gazetarëve, po në anën tjetër po ndikon në mënyrën sesi publiku e audienca po e percepton punën e medias dhe punën e gazetarëve”.

Retorika dhe sulmet ndaj mediave, sipas Gërgurit, krijojnë përshtypjen se çdo informacion është i dyshimtë, duke i hapur rrugë lajmeve të pavërteta dhe mjegullës me informacione.