Kriza humanitare në Afganistan, familjet po shesin vajzat për të mbijetuar

Afganistani po përballet me një nga krizat më të rënda humanitare në botë, ndërsa miliona qytetarë po luftojnë çdo ditë me urinë, papunësinë dhe mungesën e ndihmës ndërkombëtare.

Në qytetin Chaghcharan, kryeqendra e provincës Ghor, qindra burra mblidhen çdo mëngjes në shpresën se dikush do t’u ofrojë punë ditore. Për shumicën prej tyre, gjetja e një pune nënkupton nëse familjet e tyre do të hanë apo jo atë ditë.

45-vjeçari Juma Khan thotë se gjatë gjashtë javëve të fundit ka punuar vetëm tri ditë, me pagesë prej 150 deri në 200 afganë në ditë, rreth 2 deri në 3 dollarë, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

“Fëmijët e mi kanë fjetur të uritur tri net me radhë. Gruaja ime qante, po ashtu edhe fëmijët. U detyrova të kërkoj hua nga fqinjët për të blerë miell”, rrëfen ai.

Sipas Kombeve të Bashkuara, tre në katër afganë nuk arrijnë të plotësojnë nevojat bazë për jetesë. Ndërkohë, mbi 4.7 milionë persona konsiderohen vetëm një hap larg urisë ekstreme.

Provinca Ghor është ndër zonat më të goditura nga kriza.

Banorët tregojnë se mungesa e ndihmave dhe papunësia po i detyrojnë familjet të marrin vendime tragjike.

Abdul Rashid Azimi thotë se është i gatshëm të shesë vajzat e tij të vogla për martesë ose punë shtëpiake, vetëm për të siguruar ushqim për pjesën tjetër të familjes.

“Nëse shes njërën nga vajzat, mund t’i ushqej fëmijët e tjerë për të paktën katër vite”, thotë ai mes lotësh, ndërsa përqafon vajzën e tij.

Edhe Saeed Ahmad rrëfen se është detyruar të shesë vajzën pesëvjeçare për të paguar trajtimin mjekësor të saj pas një sëmundjeje të rëndë.

Ai thotë se vajza e tij do të dërgohet tek familja që e ka “blerë” sapo të mbushë 10 vjeç.

“Po të kisha para, nuk do ta merrja kurrë këtë vendim”, deklaron ai.

Ndërkohë, organizatat humanitare paralajmërojnë se shkurtimi drastik i ndihmave ndërkombëtare po përkeqëson situatën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dikur donatori më i madh për Afganistanin, kanë reduktuar pothuajse të gjithë ndihmën për vendin, ndërsa edhe shtete të tjera kanë ulur ndjeshëm kontributet.

Sipas të dhënave të OKB-së, ndihmat për Afganistanin këtë vit janë rreth 70 për qind më të ulëta krahasuar me vitin 2025.

Situata rëndohet edhe më shumë nga thatësira e madhe që ka prekur më shumë se gjysmën e provincave të vendit.

Në spitalin provincial të Chaghcharan-it, repartet neonatale janë të mbushura me foshnje të kequshqyera dhe në gjendje kritike.

Mjekët thonë se varfëria ekstreme dhe mungesa e ushqimit për nënat shtatzëna po rrit numrin e foshnjeve të lindura nën peshë.

Një nga rastet më të rënda ishte ai i binjakeve të lindura dy muaj para kohe. Njëra prej foshnjeve ndërroi jetë vetëm pak orë pasi u dërgua në spital.

“Infermierët dhe mjekët u përpoqën ta shpëtonin, por nuk ia dolën”, tha gjyshja e foshnjës.

Mjekët paralajmërojnë se mungesa e ilaçeve dhe pajisjeve po e bën gjithnjë e më të vështirë trajtimin e pacientëve.

“Ka ditë kur vdesin deri në tre foshnje. Në fillim ishte shumë e rëndë emocionalisht, por tani është bërë pothuajse normale për ne”, thotë infermierja Fatima Husseini.

Shumë familje po detyrohen t’i marrin fëmijët e sëmurë nga spitali sepse nuk mund të përballojnë shpenzimet e trajtimit, duke i lënë ata të luftojnë vetë për mbijetesë.

Shija e redaktorit

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Të fundit nga rubrika