Arsim Fetahu, drejtor në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka dhënë më shumë informacione rreth çështjes së borxhit të qytetarëve ndaj kompanisë KRU “Prishtina”.

Në “Rreth e Rrotull”, drejtori Fetahu ka thënë se borxhi ndaj kompanisë që ai drejton arrin deri në 45 milionë euro.

“Borxhet e konsumatorëve ndaj KRU Prishtina kanë arritur në vlerë prej 45 milionëve, gjë që është jashtëzakonisht një borxh shumë i madh”, ka thënë Fetahu.

Tutje, ai ka thënë se kuptohet se nga ky borxh, “pjesa dërmuese është edhe si pasojë e viteve të kaluara.”

KRU “Prishtina” do të ndërmarrë “aksion ndaj shkyçjeve gjatë ditëve dhe javët në vijim, pasi që kërkesat për ujë të pijshëm janë shumë të larta për shkak të vapës së madhe”.

“Si pasojë e mospagesës së disa konsumatorëve po pësojnë edhe konsumatorët e ndërgjegjshëm që paguajnë faturat”, ka thënë ai.

“Humbjet më të mëdha teknike të ujit janë më të theksuara në pjesët rurale për arsye se kjo pjesë është më pak e dendur dhe ka mundësi më të madhe për keqpërdorim të ujit, qoftë edhe prej kyçjeve ilegale dhe gjëra të tilla. Ndërsa tek pjesa urbane ka humbje më pak”, vijoi Fetahu.

Drejtori i Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu, gjithashtu ka folur edhe për keqpërdorimet që bëhen me ujë të pijshëm.

“Keqpërdorimet më të mëdha ndodhin gjatë natës”, ka thënë Fetahu.

Ndër të tjera, ai theksoi edhe cilësinë e ujit, i cili sipas tij është 100 për qind i pijshëm.

“Mund të ju garantoj se uji që vjen në çeshmet e qytetarëve është 100% i pijshëm”, ka përfunduar Fetahu.