Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se do të nisë instalimin e ujëmatësve digjitalë (smart meters) në zonën e Bregut të Diellit, në kuadër të një projekti pilot për modernizimin e sistemit të furnizimit me ujë.

Sipas njoftimit, punimet do të fillojnë të premten, më 19 dhjetor, dhe do të zgjasin deri në përfundimin e plotë të procesit. Përveç instalimit të ujëmatësve, ekipet teknike do të kryejnë edhe inspektime në terren.

Nga KRU “Prishtina” u bëhet thirrje konsumatorëve të kësaj zone që të mundësojnë qasje për ekipet teknike, duke theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për realizimin me sukses të projektit.

Sipas kompanisë, ujëmatësit digjitalë do t’u ofrojnë konsumatorëve matje më të saktë dhe në kohë reale të konsumit të ujit, faturim më të drejtë dhe transparent, si dhe identifikim të hershëm të rrjedhjeve dhe humbjeve të mundshme.

Po ashtu, pritet përmirësim i cilësisë së shërbimit të furnizimit me ujë.