Kryediplomati shqiptar takon Rutte-n, flasin edhe për Kosovën

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, këtë të enjte ka zhvilluar takimin e tij të parë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në një moment që ai e cilësoi si të rëndësishëm për rolin dhe angazhimet e Shqipërisë brenda Aleancës.

Hoxha nënvizoi se Shqipëria vijon të dëshmojë veten si një aleat i besueshëm dhe aktiv, duke rritur investimet në mbrojtje, duke modernizuar Forcat e Armatosura dhe duke marrë pjesë në misionet e Aleancës teksa shtoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej aftësitë mbrojtëse dhe gatishmërinë operacionale në funksion të sigurisë kombëtare dhe kolektive, njofton Dukagjini.

Hoxha dhe Rutte folën edhe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë në Kosovë.

Hoxha shtoi se stabiliteti në Kosovë është thelbësor jo vetëm për rajonin, por edhe për sigurinë më të gjerë euroatlantike, duke riafirmuar që Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë koordinimin e ngushtë mes Aleatëve të NATO-s për ruajtjen e një pranie efektive dhe të besueshme në terren.

“Lidhur me Ballkanin Perëndimor, riafirmuam se angazhimi i vazhdueshëm i NATO-s mbetet thelbësor për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon. Shqipëria do të vazhdojë të investojë në bashkëpunim më të fortë rajonal, koordinim më të ngushtë midis Aleatëve dhe efektivitetin e pranisë së NATO-s në Kosovë, me #KFOR-in që luan një rol të domosdoshëm stabilizues”, ka thënë Hoxha.

Gjithashtu, ai vlerësoi se bashkëpunimi i ngushtë mes Aleancës dhe vendeve të rajonit mbetet vendimtar për të adresuar rreziqet e sigurisë dhe për të forcuar stabilitetin afatgjatë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor në tërësi.

Të fundit nga rubrika