Kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut në Kosovë dhe Serbi për uljen e tensioneve

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, dhe ai i Lukesemburgut, Xavier Bettel, më 3-4 korrik do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë për "shtensionimin" e situatës

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe ai i Lukesemburgut, Xavier Bettel, më 3-4 korrik do të qëndrojnë në Serbi dhe në Kosovë.

Rutte dhe Bettel fillimisht do ta vizitojnë Zagrebin, dhe të hënën do të qëndrojnë në Serbi, ku do të takohen me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq.

Një ditë më vonë do të qëndrojnë në Kosovë dhe do të takohen me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Vizita e dy kryeministrave evropianë ishte planifikuar para disa muajsh. Por, ata do ta shfrytëzojnë këtë udhëtim për të dërguar mesazhin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndaj liderëve në Kosovë dhe Serbi për nevojën e uljes së tensioneve, qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe kthimin në dialogun që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Në këtë vizitë ishte paraparë të merrte pjesë edhe kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, por, ai e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të një krize të brendshme politike.

Kjo vizitë nga këto tri shteteve, sipas burimeve diplomatike, ishte planifikuar si “një qasje e përbashkët e Beneluksit” në disa çështje të rëndësishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto tri shtete janë shumë të interesuara për një bashkëpunim të ngushtë, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me migrimin, shkruan REL.

Përveç procesit të integrimit evropian të shteteve të rajonit, vendet e Beneluksit gjithmonë kanë qenë të interesuara që këto shtete të bashkëpunojnë në ndaljen e migrimit masiv drejt BE-së, riatdhesimin e qytetarëve të tyre që ilegalisht qëndrojnë në BE dhe bashkëpunimin me këto vende në luftimin e trafikimit.

Edhe pse në këtë vizitë nuk do të jetë kryeministri belg, shefat e qeverive të Holandës dhe Luksemburgut do të paraqesin edhe qëndrimet e Belgjikës. Këto tri shtete tradicionalisht bashkëveprojnë në shumë çështje të politikës së jashtme dhe kanë qëndrim të përbashkët edhe brenda BE-së sa herë që kjo përshtatet me interesat e tyre kombëtare.

Vizita e liderëve të Holandës dhe Luksemburgut vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Tensionet nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – nën asistimin e policisë – hynë në ndërtesat komunale, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe të organizohen zgjedhje të reja në katër komunat në veri.

Shija e redaktorit

Votohet buxheti për vitin 2025

Me pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere ka votuar buxhetin për vitin 2025. Buxheti prej 3.6...

Trump, presidenti i ri i SHBA-së

Kandidati i republikanëve, Donald Trumpit është fituesi i zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës . Ai ka tejkaluar pragun prej 270 vendeve të...

Haradinaj bën homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit: Ishte ndër...

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit të kombit, Zahir Pajaziti në Prishtinë në ditëlindjen...

Të fundit nga rubrika