Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, ka mbajtur mbledhjen e parë të kabinetit të tij qeveritar, ku njoftoi një nga masat e para ekonomike të qeverisë së re: heqjen e tarifës së TVSH-së mbi energjinë elektrike për familjet.
Sipas Burnham, masa do të hyjë në fuqi më 1 tetor dhe synon të ulë koston e jetesës, duke kursyer mesatarisht 45 paundë në vit për çdo familje britanike.
“Po veprojmë menjëherë për të ulur taksat mbi faturat e energjisë, për të lënë më shumë para në xhepat e qytetarëve dhe për të rikthyer shpresën”, deklaroi kryeministri përcjell Dukagjini.
Qeveria britanike vlerëson se heqja e TVSH-së do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 850 milionë paundë gjatë vitit fiskal aktual. Sipas ekzekutivit, kjo kosto do të mbulohet përmes anulimit të projektit për identitetin digjital, të propozuar nga qeveria e mëparshme, i cili parashikohej të kushtonte rreth 1.8 miliardë paundë.
Megjithatë, plani financiar është vënë në pikëpyetje nga Darren Jones, ish-këshilltar i ish-kryeministrit Keir Starmer, i cili argumentoi se programi i identitetit digjital nuk kishte marrë ende financim dhe kërkoi sqarime nga qeveria se si do të kompensohen të ardhurat e humbura në buxhetin e vjeshtës.
Mbledhja e kabinetit ishte e para që Burnham zhvilloi në Downing Street pas marrjes së detyrës si kryeministër dhe lider i Partisë Laburiste. Edhe pse ai ka premtuar bashkim të partisë dhe fundin e përçarjeve të brendshme, një nga vendimet e tij të para ishte zëvendësimi i disa ministrave të afërt me paraardhësin Keir Starmer dhe emërimi i bashkëpunëtorëve që mbështesin programin e tij politik.