Kryeministri Kurti ka pritur në takim Christopher Hyland
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën e 30 majit, është takuar me bashkëpunëtorin e afërt të ish-presidentit amerikan Bill Clinton, njëherësh, udhëheqësin e fushatës së tij presidenciale, Christopher Hyland. Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar Hyland për dedikimin e tij të gjatë ndaj Kosovës dhe paqes së qëndrueshme në rajon, […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën e 30 majit, është takuar me bashkëpunëtorin e afërt të ish-presidentit amerikan Bill Clinton, njëherësh, udhëheqësin e fushatës së tij presidenciale, Christopher Hyland.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar Hyland për dedikimin e tij të gjatë ndaj Kosovës dhe paqes së qëndrueshme në rajon, duke qenë edhe një nga personat e parë që e solli çështjen e Kosovës në atë kohë në vëmendjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA), Bill Clinton.
Me Hylandin, shefi i ekzekutivit ka folur për rëndësinë e veçantë të marrëdhënieve dhe raporteve me ShBA, sidomos në rrafshin e zhvillimit ekonomik nëpërmjet investimeve potenciale të investitorëve amerikanë në Kosovë.
Kurti ka folur edhe për sigurinë dhe paqen në Ballkan, për shkak të rreziqeve që agresioni rus ndaj Ukrainës mund të paraqesë për rajonin.
“Këto dyja ishin edhe fokusi kryesor i vizitës sime në ShBA dhe do të vazhdojnë të jenë prioritetet tona”, ka thënë Kurti.

Ndryshe më gjashtë maj, Kurti ishte për vizitë zyrtare në ShBA, ku ishte takuar me sipërmarrës, senatorë e bashkatdhetarë.















