Kryeministri Kurti takohet me kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasamin
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të shtunën e 14 prillit në Maqedoninë e Veriut është mirëpritur nga kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, njëherësh kryetar i Lëvizjes BESA. Sipas Qeverisë së Kosovës, Kurti dhe Kasami kanë biseduar për projektin e rrugës Prizren – Tetovë. “Në këtë takim në të cilin kryeministri Kurti […]
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të shtunën e 14 prillit në Maqedoninë e Veriut është mirëpritur nga kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, njëherësh kryetar i Lëvizjes BESA.
Sipas Qeverisë së Kosovës, Kurti dhe Kasami kanë biseduar për projektin e rrugës Prizren – Tetovë.
“Në këtë takim në të cilin kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga këshilltari i tij për marrëdhënie me Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku dhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Florian Qehaja, u diskutua për politikat dhe qeverisjen lokale, me theks të veçantë për rëndësinë dhe statusin e projektit të rrugës që lidh Prizrenin dhe Tetovën dhe për bashkëpunimin e komunave rreth malit Sharr, sidomos Tetovës dhe Prizrenin në sferën e turizmit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti në Tetovë ishte për përvjetorin e rënies së dëshmorit Alban Ajeti.
“Kryeministri Kurti, dje ishte në Tetovë të Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore në nderim të jetës së dëshmorit, Alban Ajeti në përvjetorin e 24-të të rënies së tij, organizuar në amfiteatrin kryesor të Universitetit të Tetovës”, ka theksuar qeveria në komunikatën e saj.















