Vizitën në të gjitha komunat e veriut, kryeministri Albin Kurti këtë të mërkurë e ka shfrytëzuar edhe për një qëllim tjetër.

Ani se jo ndonjë përvjetor a datë e shënuar, Kurti mori pjesë në përurimin e një pllakate përkujtimore për policin e vrarë në korrik të 2011-s, Enver Zymeri.

Atje u shoqërua nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Aty Kurti u pyet edhe për presionin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se duhet të ndodhë nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit të cilën sipas tij e ka lënë peng Serbia.

“Aty gjithçka kemi brenda dhe nuk besoj që duhet ndonjë nen apo gjysmënen të nxirret nga Marrëveshja Bazike, të deformohet, të vihet para gjithçkaje tjetër, se kjo do të ishte në kundërshtim edhe me Ankesin e Ohrit, dhe Marrëveshja Bazike të bie në prapavijë”, ka thënë ai.

Në këtë ngjarje në Zupç të Zubin Potokut, morën pjesë edhe familjarë të policit të ndjerë Zymeri e drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.

Kjo, ashtu sikurse e gjithë vizita e Kurtit në veri, u shoqërua me masa të rrepta të sigurisë.