Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka krahasuar ish-presidentin Hashim Thaçi, me personazhin e veprës letrare “Procesi” të shkrimtarit Franz Kafka.

Rama e ka quajtur Thaçin me emrin e personazhit të romanit, Joseph K. Këtë analogji kryeministri e ka bërë duke e krahasur procesin absurd sipas tij të Thaçit, i cili ngjan me gjykimin e personazhit fiktiv të romanit klasik të Kafkës.

“Imagjinoni presidentin tuaj që merret nga zyra e tij dhe merret nën mbikëqyrje, merret nën arrest pa asnjë aktakuzë zyrtare. Joe Biden e ka quajtur Thaçin George Washingtoni i Kosovës, por në këtë pikë do të ishte më e përshtatshme ta quajmë atë Joseph K, sipas personazhit të Kafkës, sepse ashtu u arrestua nga një autoritet i largët, i panjohur pa kuptuar se për cfarë ishte akuzuar”, ka deklaruar ai.

Rama e përmendi edhe paraqitjen në mënyrë vullnetare të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, para drejtësisë evropiane.

Kryeministri i Shqipërisë pati fjalë të mëdha për ish-presidentin e Kosovës, i cili sipas tij po mbahet në paraburgim pa asnjë provë.

“Në dispozicion të drejtësisë, në mënyrë të përsëritur deklaroi se i besonte drejtësisë ndërkombëtare, sepse për drejtësinë e kishte vënë jetën në rrezik, është ende atje në Hagë Jozeph K. I gjallë ende në burgim, i krijuar nga një lajm i rremë që u përhap si një murtajë dhe ndikoi politikën e institucionet ndërkombëtare”, tha Rama në Këshill të Evropës.

Kryeministri i Shqipërisë, në fjalimin e tij para Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës ka thënë se rezoluta 1782 e vitit 2011 ose raporti i Dick Marty-t duhet të rishikohet edhe njëherë nga Këshilli i Evropës.

Rama ka thënë se është e papranueshme që një president në detyrë si Hashim Thaçi është mbajtur në paraburgim nga Gjykata Speciale me një aktakuzë që nuk e përmend qartë trafikimin e organeve njerëzore.

“Nuk jam këtu të vë në diskutim as Dhomat e Specializuara të Kosovës, por jam për të vënë në diskutim burimin e infektuar dhe të neveritshëm që e solli gjithë këtë valë, që një president në detyrë u mbajt në paraburgim që ka një aktakuzë që nuk përmend në mënyrë të qartë trafikimin e organeve njerëzore”, ka deklaruar Rama.

Për këtë raport të Dick Mart-yt ka thënë se ishte i fabrikuar në Kremlin dhe pastaj i kontrabanduar në kanalet e politikës ndërkombëtare.

“E kuptoj nevojën për të hetuar, është në natyrën e institucioneve se gjërat kërkojnë kohë, por vjen një pikë që vonesat, manovrat e humbasin karakterin dhe e marrin një kuptim tjetër”, ka vijuar ai.

Sipas tij, kjo dëmton bashkësinë ndërkombëtare, sepse me anë të këtij raporti besimi në ndërkombëtarët është shtyrë.