Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka njoftuar se është ndarë nga partneri i saj, Andrea Giambruno.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke shtuar se një nga arsyet e ndarjes me partnerin është çasja e tij përmes disa komenteve seksiste.

“Lidhja ime me Andrea Giambruno, që ka zgjatur gati 10 vjet, përfundon këtu”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kryeministrja italiane dhe partneri i saj, gazetar, nga lidhja e tyre e kanë një vajzë shtatëvjeçare.

“E falënderoj për vitet që kaluam bashkë, për vështirësitë që kaluam dhe që më dha gjënë më të rëndësishme në jetë, vajzën tonë Ginevra”.

Giambruno në një transmetim televiziv është shfaqur duke i thënë koleges së tij: “Pse nuk të kam takuar më parë”, dhe në një shfaqje tjetër ai bëri komente të pahijshme duke nënkuptuar marrëdhënie seksuale me pjesëmarrësit në emision.

Në shtator, Meloni e mbrojti Giambrunon kur ai ka thënë se gratë duhet “ta shmangin dehjen”, nëse duan ta shmangin përdhunimin.

Meloni pati thënë se fjalët e tij ishin keqkuptuar.