Glauk Konjufca ka lënë për pak orë ulësen e Kuvendit, për të zënë vend në ulësen e të akuzuarve në Gjykatë.

Konjufca po akuzohet nga Prokuroria se hodhi gaz lotsjellës në një mbledhje të kryesisë së Kuvendit, në qershor të vitit 2016.

Në seancën kundër tij, vëmendjen kryesore e mori dëshmitari Sabri Hamiti.

“A jeni ndjerë i shqetësuar apo i lënduar nga ky tym? I shqetësuar ndihem për plot sene edhe kur rren dikush, edhe kur nuk sillet mirë, varet çka quan shqetësim ti zonjë”, ka deklaruar Sabri Hamiti – Dëshmitar.

Në kohën kur është hedhur gazi, Hamiti ka qenë nënkryetar i Kuvendit nga LDK-ja. Ai deklaroi se në mbledhjen e kryesisë morën pjesë dy përfaqësuesit e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe Aida Dërguti.

“Atë ditë ka pas edhe probleme të tjera, sepse ka pasur edhe anëtarë kryesie aty që e kanë ditë çka do të ndodhë dhe i kanë marrë maskat i kanë ngjitë. Unë maska nuk kam bajtë. Edhe pse nuk kam majtë maskë, mirë nuk më ka ardhë. Më ka sulmu ajo, por s’kam vdekë prej saj. E kemi edhe njeriun këtu, është i gjallë, ja ku është”, ka shtuar Sabri Hamiti – Dëshmitar.

Në disa raste, Hamiti u nervozua me pyetjet e Prokurorisë dhe mbrojtjes.

“Nëse e keni njet me zbardhë najsen duhet me i pas saktë. Na keni thirrë por nuk e keni organizu, se 15 vjet nuk do të merremi me këtë punë se kohë nuk kam… Para kësaj do spjegim, du spjegim pse. Unë asaj ju kam drejtu, por edhe juve ju duhet kjo mos më ngatërroni. Boni çka të doni”, ka përfunduar Sabri Hamiti – Dëshmitar.

Hamiti nuk pranoi që ta lëshoj sallën, pa e parë transksriptin e dëshmisë së tij. Kjo e bëri të qeshë kryeparlamentarin Konjufca.

Në seancën e së enjtes dëshmuan edhe ish-deputetët Valdete Bajrami e Sllobodan Petroviq.

Që të dy, sikurse Hamiti, thanë se nuk e kanë parë Konjufcën duke e hedhur gazin.

Seanca është ndërprerë, për shkak të angazhimit të Konjufcës në Kuvend, ndërsa në seancën e radhës do të dëshmojë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.