Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka mbajtur një konferencë për media bashkë me Policinë në Gjakovë pas aksionit të zhvilluar në Malishevë lidhur dyshimet për manipulim me vota e ku janë intervistuar 18 kryesues të vendvotimeve dhe 50 komisionerë.

Gashi, mes tjerash, bëri të ditur se 17 mijë e 53 vota gjithsej janë shtuar dhe hequr për kandidatët në komunën e Malishevës, njofton Dukagjini.

“Në komunën e Malishevës kanë qenë gjithsej 75 vendvotime dhe 9,057 vota janë të shtuara dhe 7,996 janë të hequra. Bëhet fjalë për gjithsej 17 mijë e 53 vota”, deklaroi Gashi.

Gashi, mes tjerash, bëri të ditur se procesi i hetimit është në fazë të hershme, por të gjithë të dyshuarit janë intervistuar dhe po hetohen në lidhje me falsifikimin e rezultatit zgjedhor që ndodhi në thuajse shumë komuna të Kosovës pasi u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, është në fazë të hershme.

“Janë siguruar të gjitha provat që kanë qenë të qasshme deri më tani duke përfshirë edhe video incizimet që kanë qenë në vendnumërim. Por sigurisht që kërkojnë një kohë të analizohen sepse është një fazë e hershme dhe e shpejtë”, tha Gashi.