Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, si dhe këshilltarin politik të Ambasadës, Payam Ghalehdar.
Fillimisht, ambasadori Rudolph e uroi Gashin për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë e Gjermanisë për të mbështetur institucionin e Prokurorit të Shtetit.
Gjatë takimit, u diskutua për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, me fokus të veçantë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një element kyç në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.
Po ashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese gjermane, forcimi i pavarësisë institucionale, reformat e planifikuara në sistemin prokurorial, integrimi i komuniteteve joshumicë dhe mbështetja për investitorët e huaj në Kosovë.
“Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, dhe ambasadori i Gjermanisë, Rainer Rudolph, theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit institucional edhe në të ardhmen”, thuhet më tej në njoftim.