Kryeprokurori i Shtetit kërkon raport nga Prokuroria e Pejës pas lirimit të të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka kërkuar raport me shkrim nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vucetaj, lidhur me kronologjinë e veprimeve të ndërmarra për rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan.

Kërkesa e Gashit vjen katër ditë pasi Gjykata Themelore në Pejë, më 24 gusht, shpalli aktgjykim lirues ndaj Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajt, të akuzuar për përfshirje në këtë rast.

Sipas komunikatës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporti është kërkuar në bazë të kompetencave ligjore të tij dhe duhet të përmbajë kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga Prokuroria Themelore në Pejë gjatë trajtimit të rastit.

“Në bazë të kompetencave të tij ligjore, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë raport me shkrim lidhur me kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan, pasi që Gjykata Themelore në Pejë, më datë 24 gusht 2026, ka marrë aktgjykim lirues ndaj personave të akuzuar për këtë rast”, thuhet ne njoftim.

Gjykata Themelore në Pejë i liroi Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn nga akuza për “vrasje të rëndë” në bashkëkryerje, ndërsa Halil Mehmetaj u lirua nga akuza për “shtytje në vrasje të rëndë”. Kastriot Mehmetaj u lirua gjithashtu nga akuza për armëmbajtje pa leje.

Megjithatë, Halil dhe Kreshnik Mehmetaj u shpallën fajtorë për armëmbajtje pa leje. Halil Mehmetaj u dënua me tre vjet burgim, ndërsa Kreshnik Mehmetaj me një vit burgim.

Rasti lidhet me ngjarjen e rëndë të 26 nëntorit 2021, kur një autobus që po qarkullonte në fshatin Gllogjan u qëllua me armë zjarri. Nga të shtënat u vranë shoferi Gani Gjokaj dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M., ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Prokuroria kishte pretenduar se sulmi kishte për objektiv shoferin Gjokaj dhe se motivi lidhej me një konflikt të mëhershëm të familjes Mehmetaj me të.

Sipas aktakuzës, Kastriot Mehmetaj kishte dalë në rrugë i armatosur dhe kishte shtënë në drejtim të autobusit pasi ai kishte ngadalësuar. Më pas, sipas Prokurorisë, ai ishte larguar në drejtim të Shaptej, ku e kishte pritur Kreshnik Mehmetaj me veturë, ndërsa Halil Mehmetaj akuzohej se kishte nxitur dy djemtë e tij për kryerjen e vrasjes.

Procesi gjyqësor ishte rihapur në korrik, pas administrimit të një videoincizimi të ri si provë. Megjithatë, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues vendosi që tre të akuzuarit të shpallen të pafajshëm për akuzat kryesore për vrasjen e trefishtë.

Pas këtij vendimi, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Pejë raport lidhur me mënyrën dhe kronologjinë e trajtimit të rastit.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika