Kryesuesi i Kuvendit komunal themelon Lidhjen e Prishtinës
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, ka njoftuar themelimin e një iniciative të re qytetare me emrin “Lidhja e Prishtinës”, me të cilën synon të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Kupina tha se kjo nismë është bashkim i qytetarëve, profesionistëve dhe aktivistëve që […]
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, ka njoftuar themelimin e një iniciative të re qytetare me emrin “Lidhja e Prishtinës”, me të cilën synon të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Kupina tha se kjo nismë është bashkim i qytetarëve, profesionistëve dhe aktivistëve që e duan kryeqytetin dhe ndajnë një vizion të përbashkët për të ardhmen e tij.
“Në Lidhjen e Prishtinës jemi bërë bashkë gra dhe burra, profesionistë e aktivistë të komunitetit, që e duam Prishtinën dhe që ndajmë të njëjtin vizion për Prishtinën. Jemi bërë bashkë që ta ruajmë traditën dhe ta ndërtojmë të ardhmen. Jemi bërë bashkë që ta bëjmë Prishtinën vend më të mirë për fëmijët tanë”, thuhet në një vidomesazh që Kupina e ka publikuar në Facebook.
Kupina shtoi se përmes kësaj liste synon të përfaqësojë zërin e qytetarëve në Kuvendin Komunal, me vendimmarrje të hapur dhe transparente.
“Me listën më të mirë për Kuvendin Komunal, do të jemi zëri i qytetarëve aty ku merren vendimet më të rëndësishme – në sy të qytetarit, e jo prapa dyerve të mbyllura. Dhe këtë nuk do ta bëjmë vetëm. Do ta bëjmë bashkë me Ju, për Ju. Na priftë e mbara”, theksoi ai.
Fehmi Kupina më herët ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), por aktualisht është asamblist i pavarur dhe kryeson Kuvendin Komunal të Prishtinës.















