Kryetari i BDI-së, Ahmeti: Sot ngadhnjeu Maqedonia Evropiane dhe forcat progresive në vend
“Urime qytetarë, urime vendit. Kthim prapa S’KA!” Kështu ka thënë Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas të cilit, votimi i propozimit francez ka shënuar fillimin e një Maqedonie Evropiane e me të, edhe një bazament ardhmërie dhe shprese. Kryetari Ahmeti nuk e ka fshehur gëzimin e tij lidhur me miratimin e propozimit francez. Përmes një […]
“Urime qytetarë, urime vendit. Kthim prapa S’KA!”
Kështu ka thënë Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas të cilit, votimi i propozimit francez ka shënuar fillimin e një Maqedonie Evropiane e me të, edhe një bazament ardhmërie dhe shprese.
Kryetari Ahmeti nuk e ka fshehur gëzimin e tij lidhur me miratimin e propozimit francez.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se “Maqedonia e veriut nuk është Ukrainë dhe Evropa nuk është Rusi për të dalë në protesta udhëheqësi i opozitës me bluzë të gjelbër si një wannabe Zelenski nga AliEkspresi”.
Të shtunën, pasi është miratuar propozimi francez, deputetët e pozitës kanë miratuar konkluzionet e propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë.
Reagime ka pasur edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas miratimit të “Propozimit Francez” nga parlamenti i Maqedonisë Veriore.
Përmes një shkrimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se një delegacion shqiptar do të niset të hënën për në Bruksel, për t’i filluar negociatat për anëtarësim.
“Delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar këtë pjesë të re rruge, duke filluar negociatat e anëtarësimit. Do t’ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë”, ka shkruar Rama në Facebook.
Pas miratimit të këtij propozimi, Maqedonia e Veriut do ta ketë obligim ta njohë pakicën bullgare si komb të barabartë me të tjerët.
Propozimi francez përmban shtatë pika, ku pika që ka nxitur më së shumti debat dhe madje ka shkaktuar edhe protesta të dhunshme në Maqedoninë e Veriut, ishte çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, dhe po kjo pikë është përfshirë në propozimin francez.















