Kryetari i gastronomëve, Petrit Kllokoqi, për rastin që ndodhi natën e së premtes, në lokalin “Bon Vivant”, ku si pasojë një person mbeti i vdekur, 7 të plagosur dhe 13 të tjerë të lënduar, u ka bërë thirrje gjykatave të zbatojnë ligjin.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Kllokiqi, ka theksuar se gjykatat duhet ta bëjnë punën e tyre, për çka edhe janë të thirrur.

“Apeli jonë është që gjykatat, për çka edhe paguhen, me taksa të krejt neve bashkë si shoqëri, me ushtru detyrën për çka janë të thirrur, ata vetë me zbatu ligjin, njerëzit me vepra penale me i çu në burg”, ">ka shkruar Kllokoqi.

Kllokoqi, shprehet edhe se njerëz me vepra penale enden të lirë në kryeqytet, ku shton edhe problemet të cilat sipas tij i ka pasur gastronomia që nga paslufta.

“Problemet që i kemi prej pasluftë në Prishtinë (sidomos) kanë qenë se cili mangup ose ‘komandant’ po bën probleme më shumë edhe ku?! Me ‘komandanta’ u rahatuam më në fund, se bonën pare, mangupat na mbetën në qafë edhe kësaj dite. Njerz me nga 10 vepra penale enden të lirë në kryeqytet edhe gjithmonë ndër gastronomë dëgjohet llafi që ‘kur sun i ka bo kurgjo shteti çka kom me i bo UNE?'”, ka thënë kryetari i gastronomëve.

Kllokoqi i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës dhe thotë se jeta është e shenjtë dhe askush s’ka të drejtë ta marrë atë.