Kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka reaguar lidhur me ndarjen e buxhetit nga Qeveria e Kosovës, duke theksuar se nuk ka pasur diskriminim në shpërndarje të tij, qoftë mbi baza partiake apo rajonale.

Sipas kryetarit Kadri Rahimaj janë disa faktorë që ndikojnë në barazinë e shpërndarjes së buxhetit në nivel qendror, duke mos aloduar në zanafillën e diskriminimit me baza partiake dhe rajonale.

“Ndonëse rëndomtë, por edhe për çështje profesionale dhe të raportimit të drejtë, për çdo analizë financiare bëhet krahasimi për të paktën dy periudha paraprake, në mënyrë që të nxjerrim një konstatim të qëndrueshëm mbi tematikën që po trajtojmë. Kjo gjë nuk po ndodh me rastin e shpërndarjes së buxhetit. Arsyet mund të jenë të ndryshme, si ato politike, por edhe se e vërteta do të jetë krejtësisht ndryshe, po të shtrihej analiza në kohë. Sepse e dimë të gjithë se do arrinim në rezultate negative dhe diskriminuese. Ndërsa, sot mund të themi që shpërndarja buxhetore krijon në vetvete një pabarazi (të nevojshme), le të themi pozitive, për arsyen e vetme që shpërndarjet buxhetore më herët, kanë sjellë diskriminim rajonal, politik dhe çka jo tjetër”, ka shkruar Rahimaj.

Tutje, Rahimaj ka përmendur shpërndarjen e buxhetit të vitit 2018, ku atëkohë sipas tij Ferizaji ka pasur shtatë projekte, ndërsa në vitin pasues ka pasur 11 të tilla. Si dhe buxheti i ndarë i Gjakovës në vitin 2018 kishte me 10 projekte, e një vit më vonë 14 total.

“Zanafilla e diskriminimit mbi bazën partiake dhe rajonale mund të evidentohet lehtë. Përgjatë vitit 2018, nga qeverisja e asaj kohe, komunës së Ferizajit iu ndanë 7 projekte të reja për financim në vlerë prej 7,050,000€, ndërsa komunës së Gjakovës iu ndanë 10 projekte të reja për financim në vlerë prej 8,103,000€, ndërsa në vitin 2019, komunës së Ferizajit iu ndanë 11 projekte të reja për financim në vlerë prej 5 milionë euro, ndërsa komunës së Gjakovës iu ndanë 14 projekte të reja për financim afërsisht 6 milionë euro”, ka shkruar Rahimaj në rrjetin social “Facebook”.