Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se është gjithçka gati për zgjedhjet e së dielës në komunat në veri të vendit.

Në mledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ai ka thënë se të gjithë hapat për t’i organizuar zgjedhjet janë ndërmarrë dhe se tashmë janë vendosur edhe kontejnerët.

“Ne si komision kemi marrur të gjithë hapat e nevojshëm për t’i organizuar zgjedhjet. Kemi të gjitha vendvotimet që kemi miratuar, i kemi vendosur kontijneret në vendete caktuara dhe çdo gjë është gati për zgjedhjet nesër. Andaj në emër të KQZ-së unë ftoj të gjithë qytetarët e veriut që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të dalë në zgjedhje dhe në këtë formë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitim dhe të ndërtojnë institucionet demokratike”, është shprehur Radoniqi.

Tutje, ai ka thënë se shpreson që i gjithë procesi të shkojë i qetë dhe i lirë.

E diela e 23 prillit është data kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Rreth 360 është numri i vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të vëzhguar zgjedhjet e së dielës, më 23 prill, që do të mbahen në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës.

Nga 44 sa kanë qenë në të kaluarën, kësaj radhe do të jenë 19 qendra votimi, e shumica prej tyre do të improvizohen në kontejnerë.

Vendosen kontejnerët në Veri (Foto: Mehmet Krasniqi)

Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative, me gjithsej 28 vendvotime.

Për zgjedhjet në veri do të shtypen 43 mijë e 500 fletëvotime.

Që të tria komunat, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku kanë mbetur pa kryetar të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar. Kjo pasi serbët braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilave, vetëm një nga komuniteti serb.