Një proces hetimor për shpronësimet në Shipitullë e çoi në dyert e Prokurorisë Speciale kryetarin e Obiliqit.
Halil Thaçi u intervistua nga prokurorët të mërkurën, në kuadër të hetimeve që lidhen me dyshimet për ndikim në procesin e shpronësimeve në këtë fshat të komunës që ai tash e drejton.
Pas disa orësh intervistim, para gazetarëve ai tha se u thirr në cilësinë e dëshmitarit dhe mohoi çdo përfshirje në veprën për të cilën po dyshohet.
“Po, sigurisht që po, i kam të bazuara dhe nuk kam rënë pre e shantazheve të mediave, e asnjëherë nuk do të bie. Kurrë nuk do të shantazhohem e as nuk do të kërcënohem. Unë do të jem gardian i të drejtave të qytetarëve të mi… jam në cilwsinë e dëshmitarit”., ka deklaruar Thaçi.
Por versioni që dha ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje doli të jetë i pavërtetë.
“Mund të konfirmojmë se H.Th., është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”.
Për Thaçin, kjo dosje është rezultat i një rivaliteti politik.
“Kjo është një temë e përgatitur prej moti nga rivalët e mi politikë. Më kanë përfshirë në çështjen e shpronësimeve në fshatin Shipitullë. Unë jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe i bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë deri në fund”, ka theksuar ai.
Në rastin e shpronësimeve në Shipitullë, banorët prej vitesh kanë ngritur shqetësime dhe kanë protestuar, nën pretendimin se aktivitetet e KEK-ut dhe procesi i shpronësimit u kanë shkaktuar dëme në tokat dhe kulturat e tyre bujqësore.