Hysen Sogojeva, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, ka thënë se sektori privat ka ndikuar në rritjen e turizmit në Kosovë. Sipas tij, qeveritë e deritanishme nuk e kanë vendosur turizmin në Kosovë si çështje me prioritet.

I ftuar në emisionin “Shpirti i vikendit” me Xheneta Asllani në Radio Dukagjini, Sogojeva ka thënë se duke punuar për veten, sektori privat ka arritur të ndikojë në avancimin e komoditetit dhe destinacioneve dhe rrjedhimisht, niveli i turizmit është përmisuar.

“Kur e zhvillon një destinacion, njerëzit vinë. Falë sektorit privat, turizmi është zhvilluar”, ka thënë Sogojeva gjersa ka theksuar se “duhet që nga ana e shtetit të bëhet shumë më shumë për turizmin, por fatkeqsisht asnjë qeveri e edhe kjo sot ende nuk e kanë futur turizmin si sektor me prioritet. Përderisa nuk futet si i tillë, ne duhet të fokusohemi në sektorin privat, sa të punojnë këta do të ketë zhvillim të turizmit”.

Ndër të tjera, ai ka theksuar se është gjithmonë kërkesë që sa më parë të formohet agjensioni kombëtar i turizmit ngase pa të, sipas Sogojevës, nuk ka promovim të vlerave dhe rrjedhimisht pa promovimin e tyre, ato zhduken.

“Duke mos e lënë anash Shalën e Bajgorës, jemi duke bërë përpjekje që si odë të bëjmë një event që ose së paku një panair për të parë produktet e saj e t’i dërgojmë në pjesën insitucionale ashtu që me projekte të së ardhmes të ndikojmë që ajo të zhvillohet”, ka thënë Sogojeva.

Ai thekson se Kosova është vend i lakmuar për pozitën dhe potencialin që ka, vetëm se edhe një potenciali të tillë i duhen investime. Ndërkaq, këtë të diel, Sogojeva ju sugjeron  se kudo që të shkoni në Kosovë, keni çfarë të shihni, me atë çka ka realizuar sektori privat.