Kryetari i PDK-së jep detaje pas takimit me Escobar dhe Lajçak
Pas takimit me të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se aty e ka shprehur qëndrimin e partisë që e drejton, i cili pastaj është në mbrojtje të interesave të shtetit. Krasniqi […]
Pas takimit me të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se aty e ka shprehur qëndrimin e partisë që e drejton, i cili pastaj është në mbrojtje të interesave të shtetit.
Krasniqi ka bërë të ditur se, në takim e ka theksuar nevojën e respektimit të vendimeve, sipas tij, të ligjshme për reciprocitet në raport me Serbinë.
“Në këto takime kam shprehur qëndrimin konsistent të PDK-së në mbrojtje të interesave të shtetit tonë, duke theksuar nevojën për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundimin e ligjit dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve tanë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Po ashtu në këtë takim, sipas Krasniqit, ai ka kërkuar që përshkallëzimi i situatës në veri të evitohet, duke u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare.
“Po ashtu, kam shprehur bindjen tonë se përshkallëzimi i situatës në veri të vendit duhet të evitohet dhe për këtë, kërkohet angazhimi i të gjitha palëve. Koordinimi i vazhdueshëm i Kosovës me partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm”, ka thënë ai.
Krasniqi ka bërë të ditur se sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, i kanë dhënë mbështetje kryeministrit Albin Kurti, sepse sipas tij, atë proces “asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike”.
Por, Krasniqi e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, se nuk ka qenë transparent sa i përket dialogut.
“Por, mungesa e transparencës nga ana e Kryeministrit është e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës. Qytetarët kanë të drejtë të plotë që të dijnë se cilat janë pozicionet e Qeverisë për të gjitha çështjet që po diskutohen në kuadër të Dialogut”, është shprehur ai.
Krasniqi ka theksuar se prioritet i Kosovës, duhet të jetë angazhimi për ta arritur marrëveshjen finale me Serbinë, e cila do të sillte njohjen reciproke. Sipas tij “degradimi i Dialogut në nivel teknik nuk i ndihmon arritjes së këtyre objektivave shtetërore”.















