Kryetari i Rahovecit dhe nënkryetari i Gjakovës flasin pas vërshimeve nga shiu

Niveli i reshjeve të shiut përgjatë të shtunës shkaktoi dëme në komunat e Kosovës, veçanërisht në atë të Gjakovës dhe Rahovecit. Kryetari i Komunës së Rahovecit dhe nënkryetari i Komunës së Gjakovës kanë treguar gjendjen e sotme të të dy komunave, duke theksuar se dëmet materiale janë të mëdha

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur se një ekip nga Forcat e Sigurisë së Kosovës ka dalë në terren me ç’rast po bën vlerësimin e situatës si dhe po kryen ndërhyrjet emergjente, në rast nevoje.

Përmes një lidhje telefonike në Radio Dukagjini përmes emisionit “Shpirti i Vikendit”, Smajli ka thënë se qysh nga nesër, ditë e hënë, do të krijohet një komision i cili do të dalë në terren për të matur dëmet në amvisëri, ekonomi familjare, bujqësi dhe industri.

“Jemi duke ndërmarrë veprime për sanimin e pasojave të cilat janë të shumta, jemi duke u marrë me pastrimin, largimin e ujit përmes pompave dhe ndërhyrje sipas nevojave. Sot e kemi një ekip të FSK-së që po merret me vlerësimin e situatës dhe ndërhyrja e tyre në raste emergjente ka filluar. Nga nesër në do të formojmë komisionet që do të dalin në terren për të matur dëmet në amvisëri, bujqësi, industri dhe ekonomi familjare”, ka thënë Latifi.

Njëherësh, ai ka theksuar se dëmet janë të mëdha, dhe ndër fushat më të dëmtuara është ajo e bujqësisë.

“Dikujt ja ka marrë edhe drutë e dimrit, specat e gatshëm për shitje i ka marrë uji. Plot dëme nëpër ara po shpresoj që nuk do të ketë shumë edhe në vreshta”, ka deklaruar Smajli, i cili ka thënë se shpreson që Komuna e Rahovecit të marrë kompenzime ngase dëmet nuk janë të përballueshme nga ana e komunës.

Ndër komunat e prekura nga vërshimet ishte edhe ajo e Gjakovës.

“Sot Gjakova është më e qetë, ka rënë niveli i ujërave mirëpo dje kemi pasur probleme të mëdha nga reshjet. Si shkak i kësaj kemi pasur 14 familje të evakuuara”, ka thënë Flamur Fetahaj, nënkryetar i Komunës së Gjakovës, gjersa ka theksuar se komuna ëshë përkujdesur që atyre t’u gjejë strehim dhe ushqim.

Të dy përfaqësuesit e komunave kanë thënë se shpresojnë se ndihma e premtuar do të realizohet. Ndërkaq, shifrat e sakta të dëmtimeve nga vërshimet priten të dalin në ditët në vijim.

Mirëpo si shkak i reshjeve të shiut, në disa komuna ishte ndaluar uji i pijshëm.

Zëdhënsja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë se sa i përket ngritjes së nivelit të lumenjve, do të kuptohet të hënën, dita kur zakonisht matet niveli i ujit.

Mjeku ka treguar se si shkak i trubullirave të ujit nga reshjet e së shtunës, në Shkabaj ka pasur ndërprerje të ujit e njëherësh, edhe në Fushë Kosovë.

“Se a ka pasur ngritje të nivelit të ujit do ta kuptojmë të hënën, ndërsa rrjedhën e ujit në Shkabaj ka qenë e ndaluar si shkak i trubullirave në sistemin e kanalit Ibër-Lepenc, dje jemi detyruar t’a ndërprejmë sepse ka pasur trubullira të mëdha”, ka thënë Mjeku, gjersa ka theksuar se kjo pjesë është në përmirësim e sipër, ndërsa Komunës së Fushë Kosovës i është rikthyer uji i pijshëm. Ndërkaq, kryeqyteti nuk ishte prekur nga ndërprerjet e ujit.

Përgjatë të shtunës, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka vizituar komunat, të cilave vërshimet u kanë shkaktuar dëme. Ai ka filluar vizitën e tij në komunën e Rahovecit duke e vazhduar më pas, në atë të Gjakovës.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka reaguar duke thënë se është në gjendje gatishmërie që t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika