4 persona kanë ndërruar jetë më herët të mërkurën nga një aksident në magjistralen Ferizaj-Shtime.

Është kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, ai i cili krahas figurave të tjera të vendit, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

“Ditë e kobshme për komunën e Shtimes. Me keqardhje dhe pikëllim të madh po ndjek lajmet për aksidentin tragjik të ndodhur në hyrje të komunës së Shtimes, ku humbën jetën katër të rinj. Familjarëve të viktimave iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta, kurse lutemi që të lënduarit të shërohen sa më shpejt”, ka shkruar ai.

Krahas 4 viktimave, dy të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Drejtori i Spitalit të Ferizajt bëri të ditur për Dukagjinin se një grua shtatzënë dhe burri i saj janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.

Mësohet se të dy janë në gjendje të rëndë si pasojë e plagëve të shkaktuara nga aksidenti.

Drejtori i Spitalit tha se gruaja ka fraktura në këmbë, si dhe ka krahun e thyer.