Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbreshë Kryeziu ka thënë se nuk mund të ketë një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe ashtu siç e kërkon Serbia.

E ftuar në “FIVE” të RTV Dukagjini, Kryeziu ka thënë se marrëveshja mbi Asociacionin është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe si e tillë, është e papranueshme.

“Nuk do të thoja se është kërkesë eksplicite themelimi apo respektimi i marrëveshjes për Asociacionin sepse po bëhet fjalë, e kemi  përsëritur disa herë dhe po e përsërisim prapë, po bëhet fjalë për një marrëveshje që bie ndesh, që është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese sepse ka mospërputhje me disa nene të saj dhe kjo është e parealizueshme…Nuk mund të ketë Asociacion të këtillë siç e kërkon Republika e Serbisë”, ka deklaruar Kryeziu.

Sipas kësaj të fundit, normalizimi i raporteve dhe njohja reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë është kërkesa e ripërsëritur e Kosovës në dialog por që Serbia, po bllokon dialogun duke përdor çështjen e Asociacionit.

“Është diskutuar për atë se si do të rrjedh dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë tash e tutje dhe se sa e rëndësishme është normalizimi i raporteve dhe njohja reciproke pra që janë kërkesa që Kosova i ka pasur në vazhdimësi…Ata po qëndrojnë me këmbëngulje tek Asociacioni ndërkohë ne jemi tek normalizimi i mardhënieve dhe njohja reciproke. Ata janë tek Asociacioni sepse nëpërmjet kësaj këmbënguljeje ata  po e shprehin mesazhin e qartë se nuk janë për normalizim të mardhënieve dhe nuk janë për njohje reciproke. Pra, ata janë duke e bllokuar procesin dhe ne jemi këtu, tek një moment që Serbia po e përdorë si armë për të bllokuar procesin”, ka deklaruar deputetja Kryeziu.

Kryeziu thekson se marrëveshja e dikurshme për Asociacionin bie ndesh me 23 nene të Republikës së Kosovës dhe që rrjedhimisht, sipas saj, i bie të jetë i pazbatueshëm në Republikën e Kosovës. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme ndërkombëtare, Kryeziu vlerëson se Asociacioni është i papranueshëm dhe një gjë e tillë nuk diskutohet.

Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar një rikthim të videove “sulmuese” të saj kundrejt opozitës dhe jo vetëm. Këtë video ajo e publikoi të martën. Por pse kishte nevojë të shfaqte fotoportrete të tëra të opozitës dhe jo vetëm, deputetja Kryeziu thotë se të njëjtit nuk kanë lejuar që Kosova të bëjë hapa përpara.

“Pse është e nevojshme sepse mendoj që na kanë lënë shumë mbrapa. Ne nuk kemi ecur, nuk kemi pasur mundësi të ecim pikërisht prej këtyre figurave publike që ju i shihni në videon e fundit të nxjerrë prej LVV-së që, dorën n’zemër, nuk është asgjë e jashtzakonshme. Unë jam e bindur që për secilin prej tyre, edhe një qytetar më të thjeshtin ta pyesësh të jep përgjigje të njëjta”, ka deklaruar ajo.