Përpjekjet e Serbisë për të mbajtur aktive politikën e mosnjohjeve ndaj Kosovës po vazhdojnë të jenë pjesë e strategjisë së saj diplomatike. Organizimi i një dreke nga kryeministri serb me përfaqësues të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën shihet si një sinjal se Beogradi vazhdon ta përdorë çështjen e Kosovës si instrument të politikës së jashtme.
Sipas hulumtuesit të Institutit Hibrid, Gurakuç Kuçi, kjo nuk është vetëm një lëvizje simbolike apo protokollare, por pjesë e një strategjie më të gjerë për të ruajtur dhe forcuar frontin e shteteve mosnjohëse.
Megjithatë, ai vlerëson se një qasje e tillë po i kushton gjithnjë e më shumë vetë Serbisë në raport me Bashkimin Evropian.
Në analizën e tij, Guri thekson se, ndërkohë që Beogradi investon në aktivitete diplomatike kundër shtetësisë së Kosovës, procesi i integrimit evropian i Serbisë po përballet me pengesa të reja.
“Serbia po përpiqet ta mbajë aktive politikën e mosnjohjeve ndaj Kosovës. Dreka e kryeministrit Macut me përfaqësuesit e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën nuk është gjest protokollar. Është vazhdim i strategjisë së Beogradit për ta përdorur mosnjohjen si instrument diplomatik kundër shtetësisë së Kosovës.
Por problemi për Serbinë është se kjo politikë nuk mbetet pa kosto. Në të njëjtën kohë që Beogradi mundohet ta dëmtojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, Serbia po përballet me bllokim në procesin e integrimit evropian. Moskalimi i rekomandimit për hapjen e kapitujve të rinj me BE-në tregon se një pjesë e shteteve anëtare nuk janë më të gatshme ta trajtojnë Serbinë si vend kandidat që mund të shpërblehet vetëm për retorikë.
Kjo është kontradikta kryesore e politikës serbe: kërkon përfitime nga BE-ja, por nuk sillet si shtet që e ka bërë zgjedhjen evropiane; flet për dialog, por investon në bllokim; kërkon stabilitet rajonal në deklarata, por në praktikë e përdor Kosovën si mjet presioni të brendshëm dhe ndërkombëtar. Prandaj, ajo që Serbia e paraqet si sukses diplomatik kundër Kosovës, në fakt po kthehet në barrë politike për vetë Serbinë.
Qytetarët serbë që e duan një të ardhme evropiane duhet ta shohin qartë: politika e Vuçiqit nuk po e forcon Serbinë, po e mban të bllokuar. Fotot diplomatike, takimet me vende mosnjohëse dhe demonstrimi i forcës ushtarake mund të shërbejnë për propagandë të brendshme, por nuk prodhojnë zhvillim, integrim apo perspektivë evropiane.
Në fund, dëmi që Beogradi mundohet t’ia bëjë Kosovës mund të i kthehet Serbisë si izolim
politik.
Dhe kjo si duket po lexohet gjithnjë e më qartë në Bruksel”, ka shkruar ai.