Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, pritet të zhvillohen seanca për ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj.

Të dy akuzohen për ndikim mbi dëshmitarët, së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, dhe veteranin e UÇK-së, Fadil Fazliu.

Seanca për Hajredin Kuçin është caktuar për orën 10:00, ndërsa ajo për Isni Kilajn në orën 13:00.

Ndërkohë, dje, Hashim Thaçi dhe Bashkim Smakaj nuk u deklaruan për akuzat ndaj tyre, duke kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e materialeve të rastit.

Thaçi deklaroi se nuk kishte pasur mundësi të lexonte aktakuzën në tërësi dhe theksoi besimin e tij në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke kërkuar respektim të tyre nga të gjitha palët.

Pas konsultimit me avokaten, Thaçi kërkoi që vetëdeklarimi të bëhet më 7 janar 2025, propozim i cili do të shqyrtohet nga gjykatësja Marjorie Masselot.

“Me siguri ju e dini që unë tash e katër vite përballem me një proces tjetër gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretuese të historisë politike dhe kombëtare për lirinë e shtetit dhe pavarësinë e Kosovës më së paku nga viti 1980 deri më sot. Pra është një proces voluminoz. E di se shoqëria kosovare, familja ime dhe unë presim me padurim fundin e këtij procesi, e presim drejtësinë për çka edhe besojmë në drejtësi. Krejt papritmas para dy ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale, nuk paraqes rrezik politik për askënd”, ka thënë Thaçi.

“Prandaj kërkoj edhe sot, unë besoj dhe respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kërkoj edhe sot nga të gjithë në këtë sallë që të respektohen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, sepse Dhomat e Specializuara janë produkt i institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

“Nuk kam pasur mundësi ta diskutoj shkaku i angazhimeve tjera që kam pasur në thelb dokumentin e konfirmuar nga ana ju andaj do të deklarohem me kohë në përputhje me afatin ligjor dhe kushtetues”.

Ndërkaq, Smakaj zgjodhi të përdorë periudhën 30-ditore për t’u deklaruar.

Mbrojtja e tij kërkoi lirimin nga paraburgimi, duke ofruar garanci financiare dhe dorëzimin e pasaportës, por kjo kërkesë u refuzua nga gjykata për shkak të shqetësimeve se mund të ndikojë tek dëshmitarët.

“Materialet të cilat i kam pranuar i kemi shqyrtuar, por pas konsultimit që pata tani vendos që të shfrytëzoj periudhën kohore prej 30 ditëve që të marrë edhe materiale shtesë, të shohë, se nuk i kam të gjitha materialet e nevojshme për të dhënë deklarimin sot”, ka thënë Smakaj.

Fadil Fazliu, i cili gjithashtu u paraqit dje para gjykatës, deklaroi pafajësinë e tij pas konsultimit me avokatin. Megjithatë, kërkesa për lirimin e tij nga paraburgimi u refuzua.

Akuzat ndaj të pesë të pandehurve, të ngritura më 29 nëntor dhe publikuara më 6 dhjetor, përfshijnë pretendime për ndikim mbi dëshmitarët dhe pengim të drejtësisë.