Kuçi: Serbia do i blejë përsëri votat e serbëve për zgjedhjet elektorale komunale në Kosovë
Gurakuç Kuçi, hulumtues i lartë në institutin Octopus ka reaguar ashpër ndaj skemës së paralajmëruar nga Serbia për shpërndarje të ndihmave financiare për serbët në Kosovë, të cilat pritet të nisin në vjeshtën e vitit 2025 – menjëherë para zgjedhjeve komunale në Kosovë. Kuçi, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se kjo nuk është […]
Gurakuç Kuçi, hulumtues i lartë në institutin Octopus ka reaguar ashpër ndaj skemës së paralajmëruar nga Serbia për shpërndarje të ndihmave financiare për serbët në Kosovë, të cilat pritet të nisin në vjeshtën e vitit 2025 – menjëherë para zgjedhjeve komunale në Kosovë.
Kuçi, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se kjo nuk është asgjë tjetër veçse një blerje sistematike e votës, e cila po ndodh për të disatën herë, nën mbulesën e ndihmës sociale. Ai ka rikujtuar se të njëjtat metoda janë përdorur edhe para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025, por edhe në çdo cikël zgjedhor që nga viti 2013.
Sipas deklaratës së publikuar nga drejtori i Zyrës për “Kosovë”, Petar Petkovic, Serbia do të ndajë nga 20.000 dinarë në muaj për 5.000 persona, në një skemë të re financiare që përfshin individë të përzgjedhur në mënyrë të kujdesshme.
Kuçi ka zbuluar se kjo ndihmë është e kushtëzuar me përfshirje politike, pjesëmarrje në votime dhe mobilizim të votuesve për Listën Serbe – partinë e vetme që përfaqëson politikisht Beogradin në Kosovë dhe që i raporton drejtpërdrejt presidentit Aleksandar Vuçiq.
Ai paralajmëron se qytetarët që refuzojnë të marrin pjesë në këtë skemë ballafaqohen me përjashtim nga punësimi në institucionet paralele serbe në Kosovë, frikësim dhe stigmatizim si “tradhtarë”.
“Kjo nuk është ndihmë sociale, por presion elektoral dhe kontroll politik,” shkruan Kuçi.
“Është një komponent kyç i strategjisë hibride të Beogradit për të mbajtur ndikimin e vet në Kosovë, dhe për të penguar integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës.”
Ai ka bërë thirrje që kjo praktikë e rrezikshme të ndalet menjëherë, duke apeluar edhe tek komuniteti ndërkombëtar:
“Nëse duam zgjedhje të lira dhe të ndershme në Kosovë, kjo skemë duhet të ndalet. Nuk mund të ketë më normalizim të blerjes së demokracisë.”















